Ndërlidhjet

logo-print

Kërkohet përkushtim për arritjen e kritereve


Nga takimi i Këshillit Ndërministror për Integrime Evropiane, Prishtinë, 15 tetor 2012.

Nga takimi i Këshillit Ndërministror për Integrime Evropiane, Prishtinë, 15 tetor 2012.

Disa nga kriteret e parashtruara për Kosovën në Studimin e Fizibilitetit, janë në fazën finale të realizimit, thanë përfaqësues të institucioneve të vendit në takimin e radhës të Këshillit Ndërministror për Integrime Evropiane.

Shefi i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi, gjatë takimit, kërkoi nga ministrat dhe institucionet e tjera që t’i plotësojnë kriteret që dalin nga raporti i Studimit të Fizibilitetit.

Kryeministri Thaçi deklaroi se Studimi i Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ka konstatuar se Kosova është e gatshme të fillojë negociatat zyrtare për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që, sipas tij, është hapi i parë drejt anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Në këtë drejtim, politika evropiane e Qeverisë së Kosovës, do të bazohet në tri shtylla kryesore. Plotësimi në një afat rekord i kritereve teknike për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit. Vazhdimi i reformave kyçe evropiane të parapara me Studimin e Fizibilitetit, gjegjësisht përgatitja e Planit të Veprimit për studimin e Fizibilitetit 2012 dhe themelimi i strukturave negociuese dhe ekipeve teknike negociatore me Bashkimin Evropian”, theksoi Thaçi.

Kryeministri Thaçi ftoi organet e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit që të demonstrojnë përkushtim të qartë në arritjen e rezultateve konkrete për të vazhduar luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar korrupsionit, trafikimit dhe të gjitha dukurive të tjera negative.

Në kuadër të forcimit të sundimit të ligjit, kryeministri Thaçi kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që të vazhdojë koordinimin dhe bashkëpunimin me EULEX-in dhe Task Forcën Speciale për Hetime. Po nga kjo ministri dhe Kuvendi i Kosovës u kërkua që të miratohet Ligji për konfiskimin e pasurisë.

Nga Ministria e Financave u kërkua të rishikohet Ligji për parandalimin e Shpëlarjes së Parasë dhe Financimin e Terrorizmit. Thaçi tha, po ashtu, se Qeveria i jep mbështetje të plotë Agjencisë Kundër Korrupsionit në miratimin e strategjisë së re kundër korrupsionit.

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

“Ministri i Financave dhe ministri i Administratës Publike duhet të bashkëpunojnë ngushtë me institucionin e Avokatit të Popullit me qëllim të sqarimit të çështjes së buxhetit dhe hapësirave për punën e Avokatit të Popullit".

"Ministri i Kulturës duhet të koordinojnë themelimin e trupit që mundëson konsultimet direkt me komunitete fetare për promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe religjioze, në veçanti me Kishën Ortodokse Serbe”
, deklaroi Thaçi për të vazhduar se edhe Ministria e Tregtisë, duhet të vazhdojë punën për ri-strukturimin e ministrisë dhe të vendosë mekanizma për udhëheqjen dhe koordinimin e negociatave tregtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Kurse, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, tha se publikimi i Studimit të Fizibilitetit, dhe propozimi për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ka imponuar ri-dizajnimin e platformës së re të Qeverisë në fushën e integrimit evropian.

Sipas saj, Ministria e Integrimit tanimë ka filluar monitorimin e përmbushjes së kritereve për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Vlora Çitaku

Vlora Çitaku

“Në bashkëpunim me Komisionin Evropian, jemi duke shqyrtuar mundësinë e themelimit të një trupi koordinues të përbashkët për monitorimin strikt të përmbushjes së kritereve. Ministria e Integrimit tanimë ka filluar përgatitjen e Planit të Veprimit për Studimin e Fizibilitetit 2013. Synimi ynë është që në bashkëpunim me ministritë e linjës deri në fund të këtij viti të konsolidojmë kornizën strategjike në fushën e integrimit evropian”, u shpreh ministrja Çitaku.

Ndryshe, përfaqësuesit e shoqërisë civile thanë se institucionet e vendit ndoshta me kohë të mund t’i përmbushin kriteret e vëna nga BE-ja, por më vonë do të shihet se si janë plotësuar ato kushte.

Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni në KDI, tha:

“Ne jemi të brengosur për mënyrën se si do të realizohen ato kërkesa. Për shembull, ministrja e Integrimeve Evropiane përmend se është një ligj, i cili duhet të miratohet. Pra, është fjala për Ligjin e Konfiskimit të Pasurisë, është një ligji po rëndësia e tij është shumë e madhe, sepse nëse realizohet me rekomandimet siç i ka kërkuar shoqëria civile, ai do t’i prekë vetë politikanët".

"Formati në të cilin është duke u bërë, është e lehtë të bëhet, mirëpo, ai ligj do t’i amnistojë të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë për 12 vite me radhë në afera korruptive”.


Të gjitha institucionet shtetërore do të kanë tre javë kohë deri më 9 nëntor për formulimin e veprimeve dhe indikatorëve të ri për adresimin e rekomandimeve të Studimit të Fizibilitetit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG