Ndërlidhjet

Ndërmarrjet e privatizuara, pa monitorim


"Grand Hotel" së fundi është marrë nga AKP-ja, pasi s'kishte arritur t'i përmbushë kriteret e caktuara pas privatizimit.
"Grand Hotel" së fundi është marrë nga AKP-ja, pasi s'kishte arritur t'i përmbushë kriteret e caktuara pas privatizimit.
Monitorimi jo i duhur i ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara me metodën spin-off special, i ka krijuar imazh të keq procesit të privatizimit në tërësi, thonë ekspertë për çështjeve ekonomike, për derisa autoritete kompetente thonë se mbikëqyrja pas privatizimit ndodh konform kritereve të caktuara.

Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, specifikon në mënyrë të qartë të gjitha proceset dhe kriteret, që blerësi i ndërmarrjes së privatizuar duhet t’i përmbushë. Në rast të mospërmbushjes së detyrimeve, këto ndërmarrje sërish kalojnë nën mbikëqyrje të AKP-së.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, thotë se kjo agjenci monitoron ndërmarrjet e privatizuara me metodë spin-off special, ndërsa ndërmarrjet e shitura me spin-off të rregullt, nuk kontrollohen.

AKP-ja, thotë ai, ka trashëguar nga Agjencia e mëparshme 25 ndërmarrje të privatizuara me spin-off special. Numri më i madh i ndërmarrjeve tashmë janë liruar nga monitorimi dhe raportimi në AKP, si rezultat i përmbushjes së zotimeve sipas marrëveshjes kontraktuese.

Ndërsa, Ligji për AKP-në, nuk parasheh aplikimin e kësaj metode, por megjithatë agjencia në disa ndërmarrje strategjike vendos kushte për privatizimin e tyre. Gjatë mandatit të saj agjencia, thotë Kaloshi, ka privatizuar me kushte gjashtë ndërmarrje, të cilat janë nën monitorim të Agjencisë.

“Agjencia i monitoron në vazhdimësi blerësit e këtyre ndërmarrjeve, ndërsa në rastet kur blerësit nuk arrijnë që t’u përmbahen kontratave, ka masa ndëshkuese deri në tërheqjen e aksioneve dhe kthimin e aksioneve të ndërmarrjeve në agjenci”, thotë Kaloshi.

Te ndërmarrjet e privatizuara me spin-off special, blerësi nuk ka të drejtë të ndërrojë destinimin e tyre, duhet të punësojë një numër të caktuar punëtorësh dhe të realizojë investime të reja.

Në anën tjetër, ekspertët shprehin shqetësimin se autoritetet kompetente i kanë kushtuar vëmendje vetëm procesit të shitjes, ndërsa nuk i kanë kushtuar rëndësi procesit të pasprivatizimit.

Muhamet Sadiku, profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se periudhës pas privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, më shumë vëmendje i ka kushtuar komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile, sesa autoritetet kompetente. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se një numër i madh i ndërmarrjeve të privatizuar kanë ndërruar veprimtarinë.

“Në realitet, kemi pak studime që i referohen situatës të pasprivatizimit në Kosovë, por edhe ato pak studime që janë bërë, dëshmojnë se numri më i madh i këtyre ndërmarrjeve, nuk janë të aktivizuara”.

“Një numër i madh i këtyre ndërmarrjeve e kanë ndërruar veprimtarinë e tyre. Do të thotë është një përqindje shumë e vogël e ndërmarrjeve që kanë treguar kontinuitet me e aktiviteteve të mëparshme afariste”
, shprehet Sadiku.

Sadiku konsideron se, në përgjithësi, periudha e pasprivatizimit ka mbetur jashtë procesit të monitorimit, çka kërkon nga AKP-ja që të njoftojë opinionin me këtë proces.

“Së paku është dashur që AKP-ja, për shkak të nevojave të veta për nevoja të korrigjimeve të gabimeve për periudhën e ardhshme, të bëjë një monitorim më sistematik të këtyre ndërmarrjeve dhe të dalë në opinion me studimin apo situatën e post-privatizimit në Kosovë”, vlerëson Sadiku.

Deri më tani AKP-ja ka tërhequr aksionet për pesë ndërmarrje të privatizuara me metodën spin-off special, pasi nuk i kanë plotësuar kriteret e caktuara.
XS
SM
MD
LG