Ndërlidhjet

Komiteti Ekzekutiv i partisë maqedonase në pushtet, e udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, i ka rekomanduar Grupit Parlamentar të tërheqë nga procedura e rregullt Ligjin për ish-forcat shtetërore të sigurisë, të përfshira në konfliktin e armatosur të vitit 200, për ta rikthyer atë në Parlament në procedurë të shkurtuar.

“Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së i rekomandon Grupit Parlamentar të angazhohet për kufizimin e diskutimeve në punën e komisioneve gjatë shqyrtimit të ligjit në procedurë të shkurtuar, në pajtim me rregullat e Rregullores për Punë të Kuvendit, të cilat vlejnë për seancën plenare, krejt me qëllim të shmanget keqpërdorimi i këtij akti dhe stërzgjatja e diskutimeve”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Procedura e shkurtuar parasheh që propozim-ligji të kalojë drejt në seancë plenare, ku do të marrë dritën e gjelbër dhe të rikthehet në komisione për të kaluar fazën e dytë, gjegjësisht atë të propozimit të amendamenteve.

Vendimi i këtillë i partisë VMRO-DPMNE nga partia shqiptare në pushtet, BDI, konsiderohet si betejë e parë dhe shumë e rëndësishme e fituar nga shqiptarët.

“Në instancë të fundit në opinion është më se e qartë se ky vendim i VMRO DPMNE-së, paraqet një fitore të betejës së parë të BDI-së. Ne, si parti, e përsëris se për cilindo qoftë skenar, taktikë ose strategji të VMRO DPMNE-së, kemi një përgjigje adekuate dhe, në fakt, bëhet fjalë për përdorimin e të gjithë mekanizmave konform rregullores, konform të gjitha dispozitave parlamentare , mundësive parlamentare për të vazhduar debatin tonë kundër këtij ligji”, thotë deputetja Ermira Mehmeti-Devaja nga BDI.

Deputetja Mehmeti-Devaja, shton se partia e saj do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që ligji në formë të këtillë, siç është propozuar nga partneri i koalicionit, të mos marrë dritëne gjelbër, pa u përfshirë në të edhe privilegje për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

“Kjo çështje është futur si temë kontraverse edhe në Raportin e Progresit të Republikës së Maqedonisë, me ç`rast nga shteti kërkohet që të gjendet një zgjidhje adekuate, gjegjësisht akomodim i barabartë për të gjitha viktimat dhe pjesëmarrësit në konfliktin e armatosur të vitit 2001, pavarësisht se cilës anë ata i takojnë. Ky qëndrim yni është parimor dhe ne kemi argumente edhe më të fuqishme që edhe më tej të vazhdojmë betejën tonë”, shprehet Mehmeti-Devaja

Nga ana tjetër, partia shqiptare në opozitë, e cila paraprakisht i kishte dhënë mbështetje BDI-së për të bllokuar ligjin që përjashton privilegje edhe për pjesëtarët e ish UÇK-së e ka quajtur cirk veprimin e partive politike në pushtet.

“Koha e mbështetjes që ne ua dhamë atyre, mbaron sot. Nuk i mbështesim më. Atë që e bëjnë në Parlament, është cirk i turpshëm. Nuk mbështesim më hipokrit që i thotë kryeministrit me përkulje deri në tokë i nderuari kryeministër, ndërsa ai njëqindmijë shpata ia gjuajti pas shpine. Seriozisht, nuk jemi në pozicion të lejojmë këso lloj hipokrizie, veprat e tyre janë shumë të dëmshme”, thekson lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, gjatë takimit me aktivistët e partisë në Strugë.

Ndërkohë, që Tito Petkovski, deputet i Partisë së Re Social-demokrate, veprimin e partisë së kryeministrit Gruevski, e sheh si hap që shpie në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Thjesht, është e pakuptueshme që dy partitë politike, të cilat ndajnë bashkërisht pushtetin të mos arrijnë ujdi si të zgjidhet çështja e ligjit. Në njërën anë, partia shqiptare me nxitjen e tensioneve duke insistuar në përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së përfiton pikë tek elektorati shqiptar dhe, nga ana tjetër, partia maqedonase gjegjësisht VMRO-DPMNE me refuzimin përfiton tek elektorati maqedonas”.

“Pra, duket qartë se nga kjo lojë nuk do të heqin dorë partnerët e koalicionit përderisa të realizohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare - qoftë në dhjetorë ose mars bashkë me ato lokalet”,
thekson Petkovski.

Ndryshe, propozim-ligji i VMRO DPMNE-së për ish-forcat shtetërore të sigurisë pasoi si kundërpërgjigje e përkuljes së ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Besimi, në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në Sllupçan të Kumanovës - veprim ky që u kritikua nga zyrtarët e lartë maqedonas, me ç’rast u tensionuan dhe raportet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, VMRO-DPMNE dhe BDI.
XS
SM
MD
LG