Ndërlidhjet

Rezolutës së PDK-së i duhen përmirësime


PDK - Foto nga arkivi

PDK - Foto nga arkivi

Rezoluta për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, në parim nuk i bën dëm Kosovës dhe është në përputhje me konceptin për integrime evropiane, ndonëse efektet në terren nuk priten të jenë të mëdha, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në Kosovë.

Rezoluta e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe e mbështetur edhe nga partitë partnere të koalicionit dhe subjekti opozitar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pritet të shtrohet për miratim në Kuvendin e Kosovës në seancën e ditës së enjte, më 18 tetor.

Kjo rezolutë parasheh zgjidhjen e problemeve të të dyja vendeve, si një proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Politologu Behlul Beqaj, vlerëson se politika kosovare duhet të kalojë në sulm dhe në funksion të kësaj, mund të shihet edhe rezoluta e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kjo (rezoluta) është në përputhje me konceptin për integrimeve evropiane. Le të jetë topi në fushën e tyre (autoriteteve të Serbisë). Do të thotë, ne kalojmë në ofanzivë. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim. Problem i palës tjetër (serbe) është se çka kërkon dhe a është e përcaktuar konkretisht për realizimin e përcaktimit të tyre apo jo”, shprehet Beqaj.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti tjetër i çështjeve politike, Leon Malazogu nga Instituti Demokracia për Zhvillim, i cili vlerëson se efektet e kësaj rezolute në terrenin e brendshëm mund të jenë të limituara, por ajo mund t’i tregojë bashkësisë ndërkombëtare gatishmërinë për zbatimin e kritereve që kërkon procesi i integrimeve evropiane.

Prishtina duhet t’ia komunikojë bashkësisë ndërkombëtare që është e gatshme për normalizim dhe që për këtë normalizim nuk është i gatshëm vetëm koalicioni qeveritar, por duhet që të ketë një pajtim më të gjerë. Në këtë aspekt, Prishtina duhet ta bëj të veten”.

Bashkimi Evropian, nëse ushtron presion mbi Beogradin, në të njëjtën kohë duhet që ta ketë njëfarë sigurie që Prishtina nuk do të abuzoj me këtë kohë, por do të jetë një aktor konstruktiv në këtë proces. Këtu, kërkohet nga Prishtina që të jetë konstruktive,që ta bëj në njëfarë mënyre që ajo t’i kryej detyrat e veta, ndërkaq, në terren, sidomos në veri, gjithnjë e më tepër do të ketë efekt presioni i BE-së ndaj Beogradit”, thotë Malazogu.

Në anën tjetër, deklaratat e ditëve të fundit të zyrtarëve të lartë të shtetit serb, kanë përçuar porositë tashmë të njohura, se nuk do të heqin dorë nga Kosova e as nga strukturat e shtetit serb në veri të vendit.

Ndonëse nuk e kanë mohuar mundësinë e një dialogu me Kosovën, i cili sipas tyre, duhet të evoluojë nga niveli teknik në atë politik.

Por, në rezolutën që është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, thuhet se dialogu i mundshëm me Serbinë dhe rezultatet e tij duhet të jenë në pajtim me sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin ndërkombëtarë, integritetin territorial dhe rregullimin brendshëm kushtetues të vendit.

Analisti Malazogu, vlerëson se deklaratat e zyrtarëve serbë më tepër janë për, siç e quajti ai, konsumin e brendshëm në Serbi.

Rezoluta duhet ta komunikojë vullnetin e Prishtinës që t’i normalizojë raportet dhe që të ketë një trajtim pozitiv ndaj veriut. Në këtë aspekt, do të thotë, në qoftë se Beogradit i kërkohet – dhe do ti kërkohet- që të braktisë politikën e vet në veri të Kosovës, atëherë Prishtina të mos jetë aty si një faktor destabilizues dhe agresiv, por që të jetë aty si një faktor konstruktiv, i qetë dhe i cili nuk do të mundohet që ta ndryshoj jetën e serbëve në veri”.

Por, përmes rezolutës së propozuar nga PDK, kërkohet gjithashtu që Kuvendi i Kosovës ta autorizojë ekzekutivin e vendit që të udhëheqë me procesin e ardhshëm të bisedimeve, si dhe me pjesëmarrjen e komisioneve të nevojshme të legjislativit.

Politologu Beqaj, shpreh mendimin se Kuvendi i Kosovës, nëse i jep autorizimin qeverisë së vendit që ta formojë ekipin, duhet ta kushtëzojë atë me gjithëpërfshirjen e faktorëve relevantë politik, të pushtetit dhe të opozitës, të shoqërisë civile, si dhe asaj akademike.

Vetëm në këtë kuptim, kjo marrëveshje mund të ketë një domethënie serioze. Për autorizimin e qeverisë, në kuptimin se si është parashtruar, nuk qëndron aty se duhet bërë ekipi gjithëpërfshirës. Mund të ketë keqkuptime dhe njëanshmëri, e cila çdo marrëveshje mund ta sjell në diskutim dhe në pamundësi të zbatimit efektiv, për faktin se faktorët relevant, të cilët nuk përfshihen në ekip, mund ta kundërshtojnë arsyeshmërinë dhe efektivitetin e saj”, thekson Beqaj.

Ndryshe, rezoluta për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet të jetë pika e parë e rendit të ditës, për të cilën do të diskutohet në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG