Ndërlidhjet

Clinton merr përgjegjësinë për sigurinë e konsullatave

  • RFE /RL

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, e ka marrë përgjegjësinë për sigurinë në Konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Libi, ku nga sulmi i ekstremistëve, më 11 shtator të këtij viti, janë vrarë ambasadori amerikan dhe tre amerikanë të tjerë.

- Unë e marrë përgjegjësinë. Unë jam e ngarkuar për më se 60 mijë njerëzit e Departamentit të shtetit në 275 vend-ndodhje në gjithë botën. Presidenti dhe zëvendëspresidenti me siguri se nuk kanë njohuri për vendimet specifike, që bëhen nga profesionistët e sigurisë”, tha Hillary Clinton, për rrjetin televiziv CNN nga Lima e Perusë.

Këto komente ajo i ka përsëritur edhe në intervistat në disa rrjete të tjera televizive.

Zonja Clinton ka theksuar se presidenti Barack Obama dhe zëpvendëspresidenti Joe Biden, nuk kanë qenë të përfshirë në vendimet e sigurisë të ndërlidhura me Konsullatën në Bengazi të Libisë dhe nuk duhet të fajësohen për këtë.

Në këtë kuadër ajo theksoi:

“Nuk dëshiroj që ne të futemi në ndonjë lojë të fajësimit. Mendoj se ajo që ne dëshirojmë të bëjmë është që të shkojmë deri në fund për të parë se çka ka ndodhur, të gjejmë se çka do të bëjmë për t’i mbrojtur njerëzit dhe të parandalojmë që kjo të mos ndodhë përsëri. Pastaj të shkojmë gjurmëve dhe t’i gjejmë ata që këtë e kanë bërë dhe t’i sjellim para drejtësisë”, tha Hillary Clinton.

Në një intervistë tjetër për rrjetin televiziv Fox News, Hillary Clinton tha se “vendimet për sigurinë bëhen nga profesionistët e sigurisë” dhe shtoi se “ne do të shqyrtojmë çdo gjë që të jemi të sigurt se ne po bëjmë atë që duhet, në një ambient me rrezik në rritje”.

Komentet e zonjës Clinton u bënë një ditë para debatit ndërmjet presidentit Barack Obama dhe rivalit të tij republikan, Mitt Romeny, në të cilin pritet që Obama të pyetet edhe lidhur me sulmin në Konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë.

Më herët, zoti Romney ka thënë se ky sulm paraqet dobësi të politikës së jashtme të presidentit Obama dhe e ka akuzuar administratën e tij për keqprezentim të informacioneve për sulmin në Bengazi.

Aktualisht, po zhvillohen tri hetime lidhur me sulmin në Bengazi: një hetim i agjencisë FBI për vrasjen e katër amerikanëve, një hetim i pavarur i një paneli të caktuar nga Hillary Clinton dhe dëgjime kongresionale.

Raportet e para për shkaqet e sulmit të dhunshëm i atribuoheshin një numri të demonstratave spontane në disa vende mysliamne për shkak të një filmi të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, në të cilin fyhej Profeti Muhamed.

Por, brenda disa ditëve, Shtëpia e Bardhë e tërhoqi këtë qëndrim duke thënë se gjetjet e reja indikojnë se sulmi ishte i qëllimshëm dhe i koordinuar. (f. b.)
XS
SM
MD
LG