Ndërlidhjet

logo-print

Dialogu teknik nuk vazhdon pa zbatimin e marrëveshjeve


Ilustrim

Ilustrim

Dialogu teknik me Serbinë mund të vazhdojë vetëm atëherë kur Beogradi t’i zbatojë marrëveshjet tashmë të arritura, thotë kryenegociatorja e ekipit kosovar në këtë proces, Edita Tahiri.

Ajo i bëri këto komente në një debat të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim në kohën kur Kuvendi i Kosovës është në proces të nxjerrjes së një rezolute të re për normalizimin e raporteve me Serbinë, e cila parasheh edhe vazhdimin e dialogut.

Megjithatë, zëvendëskryeministrja dhe kryenegociatorja Edita Tahiri ka përsëritur qëndrimin se bisedime të reja në nivelin e deritashëm nuk mund të ketë, përderisa pala serbe nga shtatë marrëveshjet e arritura po zbaton vetëm atë për tregtinë e lirë.

Në këtë aspekt ajo kërkoi nga BE-ja si ndërmjetësuese në bisedime që të shtojë trysninë mbi Beogradin për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura.

E ftoj Bashkimin Evropian si ndërmjetësues dhe garantues i dialogut teknik që të rrisë trysninë ndaj Serbisë që t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet dhe në kuadër të kësaj zhbërja e strukturave paralele është një prej kushteve themelore. Ndërsa për sa i takon perspektivës së dialogut teknik, qëndrimi ynë si Qeveri e Republikës së Kosovës është që pa u zbatuar të gjitha marrëveshjet nga ana e Serbisë, ne nuk shohim ndonjë arsye për të vazhduar dialogun teknik”, ka thënë Tahiri.

Tahiri theksoi se sa i përket dialogut të nivelit të lartë, ai duhet t’i shërbejë paqes dhe stabilitetit, dhe për këtë kërkoi që të ketë një konsensus politik në vend.

Ajo tha se ky dialog i ri që po përgatitet duhet t’i ketë vijat e kuqe, që nënkuptojnë se nuk ka bisedime për çështje te brendshme të Kosovës.

Qëndrimet tona dhe të miat janë që ky dialog mes dy shteteve të pavarura e sovrane duhet t’i shërbejë paqes dhe stabilitetit dhe duhet të finalizohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe duhet t’i ketë vijat e kuqe, sepse ne si shtet nuk jemi të gatshëm të bisedojmë për çështje tona të brendshme me një shtet tjetër”, theksoi Tahiri.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati kërkoi që Kuvendi të marrë rolin që i takon dhe të definojë pozicionin e palës kosovare në bisedimet e ardhshme.

Mbetet të shihet, qartësohet dhe presim zhvillime transparente në këtë drejtim edhe në Kuvendin e Kosovës dhe mendoj që në të gjitha fazat Kuvendi duhet të jetë i kyqur në këtë drejtim, çka nuk ka qenë gjithmonë”, ka deklaruar Ferati.

Debati i së martës është organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim dhe mëtonte të gjente një përgjigje në pyetjen se si duhet qasur veriut të Kosovës në procesin negociator Prishtinë – Beograd të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Drejtori Ekzekutiv i këtij Instituti, Leon Malazogu në mesin e rekomandimeve përmendi edhe çështjen e veriut, sado që mysafirët e këtij debati nuk i kushtuan shumë rëndësi kësaj teme, sa i kushtuan vazhdimit të bisedimeve.

Ne rekomandojmë që BE-ja të ketë një rol më të fuqishëm dhe të përfshije Beogradin dhe Prishtinën në dizajnimin e një zgjidhje më afatgjate, por të njëjtën kohë në njëfarë mënyre po thuaj edhe të arbitroj konfliktin dhe në këtë mënyrë të tregoj se kur duhet të përfundoj konflikti dhe në cilat pika”, ka thënë Malazogu.

Në këtë debat kanë marrë pjesë edhe përfaqësues e deputetë tjerë në Kuvendin e Kosovës të cilët kryesisht mbështetën një proces dialogu që do t’i ndihmonte si Kosovën ashtu edhe Serbinë në përafrimin e tyre me proceset integruese në NATO dhe Bashkim Evropian.

Ndërkaq pavarësisht se tema kërkonte një përgjigje edhe për adresimin e çështjes së veriut në bisedime, kjo pikë sikur u la anash nga panelistët të cilët nuk u lëshuan shumë në komente rreth problemit të veriut të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG