Ndërlidhjet

Shkup: Alarmohen institucionet për rikthimin e vizave


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Drejtuesit e institucioneve thonë se janë duke shqyrtuar seriozisht informacionet që vijnë nga disa shtete anëtare të BE-së, të cilët, kanë ngritur shqetësimet lidhur me fluksin në rritje të personave që kërkojnë azil në shtetet e tyre duke keqpërdorur liberalizimin e regjimit të vizave.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Ivo Kotevski tha se janë ndërmarrë të gjitha masat nga ana e MPB-së për të mos lejuar që persona të caktuar të rrezikojnë të tjerët që të udhëtojnë pa viza në shtetet e BE-së.

Sipas të dhënave të deritanishme nga pikat e kalimit kufitar gjatë nëntë muajve të fundit janë kthyer 6 mijë e 500 persona që besohet të kenë tentuar të largohen nga vendi për të kërkuar azil në ndonjë vend të BE-së.

Duke komentuar mundësinë e rikthimit të vizave, Bekim Kadriu, profesor i së drejtës ndërkombëtare, nuk beson se një gjë e tillë mund të ndodhë, pasi kjo sipas tij do të ishte një mesazh jo i mirë si për BE-së ashtu edhe për Maqedoninë.

Mendimi është se nuk do të sillet nj vendim, për shkak se ai do të ishte një një sinjal shumë i keq, jo vetëm për Maqedoninë por edhe për vet BE-në, këtë e argumentoj me faktin se rikthimi vizave do të thotë se BE apo institucionet e BE-jë kur kanë sjellë vendimin për liberalizimin e vizave, sikur nuk kanë ditur se çka bëjnë edhe pse zyrtarisht ata mund ta bëjnë një gjë të tillë, megjithatë unë mendoj se nuk do ta bëjnë sepse edhe për Maqedoninë do të jetë moment shumë negativ do të thotë kthim disa hapa në rrugën e integrimeve”, thotë Kadriu.

Fajin për gjendjen e krijuar lidhur me keqpërdorimin e regjimit të vizave, Sonja Stojadinoviq, po ashtu njohëse e zhvillimeve evropiane, ia hedh institucioneve të Maqedonisë, të cilat, siç shprehet ajo, shumë pak kanë bërë në marrjen e masave për të penguar dukurinë e këtillë.

Ne duhet të jemi real dhe të themi se nuk jemi munduar shumë që nëpër pikat kufitare dhe aeroporte të parandalojmë personat për të cilët ka pasur indikacione se shkojnë në ndonjë vend për të kërkuar azil. Ka pasur raste kur familje të tëra me bagazhe të shumta kanë udhëtuar në ndonjë vend të BE-së dhe me siguri se ata nuk kanë shkuar atje për vizitë apo në ndonjë udhëtim zyrtar, thjesht ata kanë kaluar pa pengesa nga ana e institucioneve”, thotë Stojadinoviq.

Por, Bekim Kadriu thotë se institucionet nuk mund të bëjnë edhe aq shumë, të paktën, jo të parandalojnë qytetarët që të lëvizin lirshëm.

Ato, sipas tij, mund të ndërmarrin masa vetëm ndaj agjencive të ndryshme turistike dhe personave të tjerë që besohet se organizojnë grupe qytetarësh që të kërkojnë azil ekonomik që si term nuk njihet në shtetet e BE-së.

Mendimi im është se institucionet e Maqedonisë e kanë problem ta parandalojnë këtë gjë sepse ngase vet regjimi i lirë mundëson qarkullim të lirë. Të vetmen gjë që institucionet mund ta bëjnë për azilkërkuesit është të promovojnë , trajtojnë dhe njëkohësisht të edukojnë qytetarët, se çka do të thotë qarkullimi i lirë i qytetarëve. Të kuptojnë qytetarët se statusi i tillë i azilantit ekonomik në BE nuk ekziston”, shprehet Bekim Kadriu.

Ndryshe, ditë më parë drejtori i drejtorisë për zgjerim të Komisionit Evropian, Stefano Sannino, pas takimit në Shkup me zyrtarë shtetërorë dhe përfaqësues të partive politike ka përcjellë porosinë se regjimi pa viza mund do të mbetet nëse nuk shkaktohen probleme më të mëdha dhe çrregullime në BE.

Megjithatë, sipas Saninos nëse sistemi keqpërdoret, ekziston rreziku që të veprohet ndryshe nga ana e BE-së.
XS
SM
MD
LG