Ndërlidhjet

Pakistani i ndanë Malalës Medaljen për Guxim


Ilustrim
Ilustrim
Pakistani ka bërë të ditur sot se adoleshentes 14 vjeçare, Malala Yousufzai, e cila u sulmua javën e kaluar nga militantët talibanë, do t’i ndahet Medalja e Guximit, për angazhimin e saj në fushatën për promovimin e të drejtave të vajzave për tu edukuar.

Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Rehman Malik njoftoi sot për këtë vendim, gjatë vizitës që u bëri dy prej shoqeve të Malalës, të cilat gjithashtu u lënduan gjatë sulmit të javës së kaluar nga talibanët.

Ai tha se shpërblimi prej 1 milionë dollarësh është në dispozicion për kapjen e Ehsanullah Ehsanit, zëdhënësit të talibanëve pakistanezë, i cili e ka pranuar përgjegjësinë për sulmin ndaj Malalës dhe i cili u zotua se vajza adoleshente do të vritet.

Më herët gjatë ditës, spitali britanez që po kujdeset për Malala Yousufzain njoftoi se disa persona janë arrestuar në spital.

Dave Rosser, kryemjek i Spitalit të Birminghamit, Queen Elizabeth, tha sot se disa persona, të cilët thonin se janë anëtarë të familjes së Malalas, janë arrestuar nga policia.

Ajo arriti dje në këtë spital në Birmingham të Anglisë, për një trajtim të specializuar për plagët e marra.

Sa i përket shërimit të saj, Rosser tha se mjekët e saj janë të kënaqur me progresin e deritashëm.
XS
SM
MD
LG