Ndërlidhjet

Privatizimi i KEDS-it përplas Vetëvendosjen dhe Qeverinë


Vetëvendosje proteston kundër privatizimit të KEDS-it
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:43 0:00

Vetëvendosje proteston kundër privatizimit të KEDS-it

Mbi 100 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, në mesin e të cilëve edhe disa nga deputetët e partisë, e kanë rrethuar objektin e qeverisë duke kundërshtuar nënshkrimin e marrëveshjes për privatizimin e Distribucionit për Furnizim me Energji elektrike.

Privatizimi i Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), është bërë në qershor të këtij viti. Komiteti Qeveritar i Privatizimit (KQP), ka shpallur konsorciumin “Limak & Çalik” ofertuesin e preferuar.

“Limak&Çalik” ka ofruar ofertën prej 26.3 milionë eurosh.

Aktivistët po synonin të depërtonin tek ndërtesa, por kanë hasur në pengesën e njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Mësohet se gjatë këtij aksioni policia ka arrestuar disa persona. Vetëvendosje pohon se numri i të arrestuarve është 62.

Shpend Ahmeti, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje tha se sot është protestuar "kundër nënshkrimit të kontratës së privatizimit të distribucionit të KEK-ut, që sot është falur, është një prej hajnive më të mëdha që është bërë, 26 milionë euro - dy kilometra e gjysmë asfalt".

"Po protestojmë në çfarëdo mënyre që ta ndalim nënshkrimin e kontratës, por, ky është vetëm hapi i parë, ne do të vazhdojmë më shumë
", ka thënë Ahmeti.


Debat me tone të ashpra në Kuvend

Ngjarja e sotme u diskutua ashpër edhe në seancën e Kuvendit të Kosovës, gjatë një debati ndërmjet ministrit të punëve të brendshme, Bajram Rexhepi dhe deputetit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Ky i fundit ka kërkuar sqarime nëse zoti Rexhepi ka urdhëruar forcat e policisë të pengojnë hyrjen e aktivistëve të VV-së në ndërtesën e qeverisë, ku ishte paralajmëruar ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së privatizimit të KEDS-it.

“Po unë e kam dhënë urdhërin, dhe urdhëri është dashur të zbatohet në mënyrën më rigoroze. Dua t’ju informoj se në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve ekzistuese, nuk do të lejohen as deputetët e Vetëvendosjes, as Kryesia e kuvendit, as kryetari i Kuvendit e as presidenca të bllokojnë punën e institucioneve”, ka thënë ministri Rexhepi, duke shtuar se nuk do të lejojë sundimin e anarkisë.

Visari Ymeri ka akuzuar zotin Rexhepi se “po gënjen”, duke thënë se “deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ishin nisur për të hyrë në objektin qeveritar, e jo për ta bllokuar atë”.

“Bllokimin e ka bërë policia me urdhër te ministrit në kundërshtim me ligjin, i cili na lejon qasje në objektet qeveritare sa herë që kemi dëshirë dhe kemi nevojë”, ka thënë Ymeri, duke thënë se urdhëri kishte të bënte edhe me, siç u shpreh, “rrahjen e deputetëve”.

Ministri Rexhepi ndërkaq, duke i cilësuar ato që ai i quajti “taktika të Vetëvendosjes” si të ndyta, tha “futja në qeveri në këtë mënyrë, nuk do të lejohet”.

Nënshkrimi i marrëveshjes

Megjithatë, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe të konzorciumit kanë nënshkruar marrëveshjen, duke thënë se privatizimi i KEDS-it do të ndikojnë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe do të jetë në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Kjo kontratë nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, vlerësohet si shumë e rëndësishme për të ardhmen ekonomike dhe energjetike të Kosovës.

“Është një moment i rëndësishëm për të ardhmen ekonomike dhe energjetike të Kosovës, konform Kushtetutës së vendit. Ne jemi të përcaktuar për ekonomi të tregut, jemi të përcaktuar që të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët e Kosovës dhe një ndër pengesat që nga pas lufta deri më tani ka qenë furnizimi i sigurt dhe furnizim i përballueshëm për qytetarët e Kosovës”, theksoi ai.

Ministri Beqaj, është shprehur se privatizimi i Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike, është zhvilluar konform bazës ligjore në vend.

Kompania fituese do të hyjë në investime në një periudhë afat-mesme prej 300 milionë eurosh, por njëkohësisht ka marrë obligim që të bëhen reduktime në humbjet komerciale në 3 për qind, në tre vitet e para dhe 2.5 për qind në dy vitet pasuese.

Përfaqësuesi i konzorciumit fitues, Nihat Ozdemir, tha se Turqia është fokusuar të investojnë në Kosovë, pasi këtë vend e vlerësojnë si qendër të Ballkanit perëndimor.

“Me këtë popullit të Kosovës do t’i ofrojmë energji më cilësore dhe pa ndërprerje. Njëkohësisht, me kontratën që e kemi nënshkruar, të punësuarit do t’i kenë të garantuara vendet e punës për tre vjetët e ardhshëm”.

Kohë më parë, edhe Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka kundërshtuar procesin e privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të Energjisë Elektrike (KEDS).

Visar Azemi nga KOSID thotë se investitori është privat dhe mund të bëjë ç'të dojë...

“Ky investitor është privat dhe mund të bëjë çkado që dëshiron, pasi që asgjë nuk është rregulluar me ligj nga ana e qeverisë. Do të ketë ngritje të çmimeve të energjisë, dhe askush nuk mund të ndërhyjë, pasi që ky investitor mund t’i përdorë avantazhet që ka dhe mund të bëjë çfarëdo që të dojë”, theksoi ai.
XS
SM
MD
LG