Ndërlidhjet

logo-print
Kryeministri serb Ivica Daçiq, fillimisht ka thënë se “ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme”, por më pas është befasuar kur Komisioni Evropian në dokumentin për zgjerimin e Bashkimit Evropian e ka futur sintagmën “integriteti territorial i Kosovës”, të cilin Serbia duhet ta respektojë.

Zëvendëskryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, ka përsëritur se Serbia duhet të shkojë në Bashkimin Evropian ose nuk do të ketë fare qeveri.

Por, kryetari serb, Tomisllav Nikolliq, deklaron se nëse Bashkimi Evropian “e kërkon Kosovën, atëherë nuk do të shkojmë në Evropë”.

Jelko Kacin, raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë, thotë se tashmë po kalojnë 100 ditët e para të qeverisë së re serbe, dhe se ajo dhe institucionet tjera serbe vazhdojnë të flasin me fjalor kontradiktor, gjë që nuk e ndihmon Serbinë që ta zhvillojë dhe forcojë kredibilitetin.

Unë kam thënë se Serbia po sillet sikur të ketë hyrë në vetëshërbim, duke zgjedhur atë që i konvenon. Por, Bashkimi Evropian nga të gjitha shtetet anëtare, si dhe nga shtetet kandidate, kërkon që ato plotësisht t’i përkushtohen përafrimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Kacin.

Por, më së shumti ka ngjallur reagime deklarata e kryetarit serb Nikolliq, i cili ka thënë se Serbia do të heqë dorë nga rruga evropiane, nëse zyrtarisht do t’i thuhet se duhet të zgjedhë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian ka dhënë sinjale se nuk do të heqë dorë nga Kosova dhe perspektiva e saj evropiane edhe në qoftë se Serbia heq dorë nga ajo.

Prandaj, Serbia nuk ka asnjë adut në duart e saj, dhe një vendim për të hequr dorë nga rruga evropiane, nuk do t’i bëjë dëm as klubit evropian, e as Prishtinës.

Por, kështu nuk mendon historiani Radosh Lushiq, anëtar i Partisë Përparimtare Serbe.

Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Serbia vazhdon të jetë e pranishme në Kosovë dhe se e vlen të luftohet për një prezencë të tillë edhe në qoftë se çmimi i kësaj do të jetë heqja dorë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Pohimi se Serbia nuk është e pranishme në Kosovë, nuk është i saktë. Derisa sa të ketë serbë në Kosovë, aty do të jetë e pranishme Serbia. Është një fakt tjetër se ekziston rezoluta 1244, por ekziston edhe pjesa veriore e Kosovës dhe institucionet paralele. E gjithë kjo flet se në Kosovë është e pranishme Serbia, por vetëm shtrohet pyetja se në çfarë mase është ajo aty”.

Nuk ekziston asgjë e vlefshme që të sakrifikohet Kosova për një shtet të pavarur të Kosovës ose bashkimin e shtetit të Kosovës me Shqipërinë apo të ashtuquajturën Shqipëri e madhe. Nuk ekziston asnjë alternativë, madje as Evropa e bashkuar“, tha Lushiq.

Ndryshe, Jelena Miliq, drejtore e qendrës për studime evropiane, thotë se zgjedhja “Evropa ose Kosova” është dilemë e rrejshme dhe se porosia e kryetarit serb Nikolliq është një “deja vu” apo goditje e vetvetes.

Me humbjen e integrimeve evropiane, Serbia në asnjë mënyrë nuk do të arrijë kurrfarë hapësire shtesë që ta kthejë Kosovën nën juridiksionin e saj. Në procesin e integrimeve evropiane, mbase Serbia mund të arrijë edhe ndonjë mekanizëm të mbrojtjes institucionale të bashkësisë serbe në Kosovë, në formën horizontale dhe vertikale të ndërlidhur me Serbinë. Ndërkaq, këtë mund ta humbë lehtësisht nëse heqë dorë nga integrimet evropiane”, vlerëson Miliq.

Ndryshe, kryetari serb Nikolliq, jo vetëm që ka shprehur gatishmërinë që për shkak të Kosovës ta refuzojë Evropën, por ai nuk ka dhënë asnjë alternativë se cila do të jetë perspektiva e qytetarëve të Serbisë nëse heq dorë nga integrimet evropiane.

Këtë situatë, Jelena Milliq e sheh si një perde kamuflimi për disa qëllime të tjera regjionale, për të cilat kryetari serb nuk i informon qytetarët.

Mendoj se janë dy çështje. Njëra është se në këtë mënyrë arsyetohet politika e re, e cila do të jetë më e qartë për të mbrojtur çështjen e ndarjes së Bosnjës. Ndërkaq, çështja tjetër është se ekziston një plan, i cili ende nuk na është komunikuar, për të hyrë në një formë të partneritetit të forcuar me Rusinë, të cilës Serbia do t’i shërbente si një pikë e spikatur neuralgjike, e përshtatshme për minimin dhe provokimin e planeve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s në regjionin e Evropës Juglindore”.

Situatën e tanishme duhet shikuar në kontekstin e faktit se Rusia në mënyrë masive po i blen territoret në Greqi dhe se ka një ndikim gjithnjë e më të madh në Qipro. Mendoj se agjenda e Rusisë është vënia nën kontroll e një pjese të Evropës juglindore dhe dobësimi i Bashkimit Evropian dhe se Serbia është pjesë e këtij projekti të madh”, vlerësoi Jellena Milliq. (b. b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG