Ndërlidhjet

Serbia dënon incidentet, disa fajësojnë Anglinë


Ndeshja mes Serbise e Anglise, 16 tetor, 2012
Ndeshja mes Serbise e Anglise, 16 tetor, 2012
Serbia ka dënuar ashpër “provokimet dhe fyerjet” ndaj lojtarëve të ekipit të Anglisë nën 21 në ndeshjen kualifikuese, të luajtur një natë më parë në Krushevc të Serbisë.

Anglia ka kërkuar që për shkak të fyerjeve raciste të drejtuara kundër lojtarëvë të saj me ngjyrë, Serbia të sanksionohet ashpër nga UEFA.

“I dënoj fuqishëm… dhe refuzoj çdo formë të dhunës ose diskriminimit”, ka thënë ministrja serbe e sportit Alisa Mariq.

Ajo ka thënë se pret që Asociacioni serb i futbollit të “reagojë në mënyrë adekuate” dhe që autoritetet të zbatojnë ligjin kundër dhunës në ngjarjet sportive.

Por, kapiteni i ekipit serb, Sllobodan Medojeviq ka thënë se ai nuk ka dëgjuar ofendime dhe i ka akuzuar lojtarët anglezë se e kanë provokuar turmën dhe lojtarët serbë.

“Kur është kryer ndeshja, kam qenë në anën tjetër të fushës. Kam dëgjuar nga kolegët e ekipit se turma është provokuar nga gjestet e futbollistëve anglezë”, ka thënë ai.

Megjithatë mediat raportojnë se tifozët serbë kanë imituar majmunët në stadium, fyrje drejtuar lojtarëve anglezë me ngjyrë.

Më herët Downing Street tha se kryeministri britanik David Cameron është “tmerruar nga skenat” dhe dëshiron që UEFA të vendosë “sanksione të ashpra” kundër federatës serbe të futbollit.

“Ne jemi të vendosur që ta shtypim racizmin brenda dhe jashtë vendit dhe i japim mbështetje të plotë ankesës së Federatës Angleze”, citon AP zëdhënësin e Cameron-it, Steve Field.
XS
SM
MD
LG