Ndërlidhjet

logo-print

Krasniqi: Kosova s’ka nevojë për shtet policor


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi

Seanca e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për një orë për shkak të pranisë së policëve brenda hapësirave të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kërkoi largimin e menjëhershëm të pjesëtarëve të policisë nga objekti i legjislativit të vendit, duke thënë se nuk janë respektuar rregullat procedurale meqë nuk është kërkuar leje nga ai.

“Kërkoj nga kabineti qeveritar - kryeministri dhe ministri, mos t’i keqpërdorin ata djem dhe vajza që janë për ta mbrojtur demokracinë, lirinë dhe dinjitetin e vet dhe dinjitetin e institucionit të Kosovës- të mos i përdorim për interesa private të askujt”, u shpreh Krasniqi.

Komenti i tij vjen një ditë pas përplasjeve ndërmjet aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës para ndërtesës së qeverisë.

Protesta e lëvizjes kundër privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) rezultoi me disa persona të lënduar e të arrestuar.

Urdhri për ndërhyrjen e policisë dhe largimin edhe të deputetëve të Vetëvendosjes u dha një ditë më parë nga vet ministri i brendshëm, Bajram Rexhepi.

Krasniqi tha se nuk ka informata se kush i ka urdhëruar policët të qëndrojnë sot në Kuvend, por theksoi se ministrat nuk mund të japin urdhra të tillë pa respektuar rregullat.

“Ky vend nuk ka nevojë për dhunë policore, as forcë policore e as shtet policor. Ky vend ka nevojë për drejtësi dhe drejtësinë nuk e bën Bajram Rexhepi që dëshiron ta burgos edhe presidentin, edhe kryetarin e Parlamentin dhe krejt. Kush ia dha atë të drejtë?", tha ai.

Seanca pritet të vazhdojë punimet në orën 11, ndërsa në rend të ditës do ta ketë debatin për projekt-rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë.
XS
SM
MD
LG