Ndërlidhjet

Afganistan: “I detyruar” t’i presësh kokën


Afganistan
Afganistan
Një valë shqetësuese e sulmeve të dhunshme kundër grave ka kapluar Afganistanin perëndimor.

Në incidentin e fundit, një 18-vjeçar, i identifikuar si Najibullah, është arrestuar më 13 tetor, për shkak se, dy ditë më herët, i ka prerë kokën një gruaje.

Mahgul, 25 vjeçe, është gjetur e vdekur jashtë shtëpisë së saj në Herat. Familja ka marrë trupin e gjymtuar të saj dhe e ka çuar në Departamentin lokal për Çështjet e Grave.

Najibullah, i cili është rrëfyer para gazetarëve dhe kamerave televizive, ka thënë se është detyruar të kryejë krimin nga tezja e tij, Pariguli, e cila ishte vjehrra e Mahgulit. Ai ka thënë se Pariguli ka mbajtur Mahgulin derisa ai i ka prerë kokën me thikë të mprehtë.

Pariguli më ka thënë se duhet të vras këtë person. I kam thënë se nuk mundem. Ajo me ka detyruar dhe i kam ndihmuar. Më ka marrë në shtëpinë e saj. Ajo i ka mbajtur këmbët Mahgulit ndërsa unë i kam prerë kokën. E kam pyetur Parigulin përse do që ta vrasë. Më ka thënë se e urren, sepse nuk e dëgjon çfarë i thotë”, ka rrëfyer Najibullah.

Shefi i policisë në Herat, gjenerali Sayed Abdul Ghafar, ka thënë se policia fillimisht ka arrestuar vjehrrën e Mahgulit, vjehrrin dhe burrin e saj. Sipas tij, Najibullahu ka rënë në pranga pasi dëshmitarët kanë thënë se e kanë parë me një thikë të përgjakshme në natën e krimit.

Ghafar ka bërë të ditur se, në bazë të hetimeve, motivi kryesor i vrasjes së Mahgulit ka qenë refuzimi i saj për t’u bërë prostitutë – një kërkesë kjo që, sipas tij, i është bërë nga vjehrrit.

Vjehrrit e Mahgulit kanë dashur ta detyrojnë në prostitucion dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Vajza fatkeqe është vrarë sepse ka refuzuar”, ka thënë Ghafar.

Familja e Mahgulit, e trishtuar me vrasjen, është mbledhur të hënën para stacionit policor në Herat, së bashku me dhjetëra aktiviste të grave, për të protestuar kundër “vonesave të policisë ndaj të akuzuarve”.

Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën, Amnesty International ka dënuar me forcë prerjen e kokës. Suzanne Nossel, drejtore ekzekutive e organizatës në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se “fati tragjik i Mahgulit është një incident më shumë, i cili vë në pah atmosferën e dhunshme me të cilën përballen gratë dhe vajzat në Afganistan dhe rajon”.

Vrasja e Mahgulit ndodh pasi trupi i pajetë i një tjetër gruaje 30-vjeçare është gjertur në qarkun Pamanare të Heratit, në fillim të tetorit. Autoritetet spitalore kanë thënë se viktimës i janë prerë veshët, hunda dhe gishtërinjtë, para se të vritej.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Herat ka thënë se hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Dy incidentet e fundit çojnë në rreth 20 numrin e grave të vrara këtë vit. Departamenti për Çështje të Grave thotë se anëtarët e familjeve janë të akuzuar për përfshirje në shumicën e rasteve.

Ato nxjerrin në pah situatën e zymtë të grave në Afganistan, ku abuzimi në familje është rutinë, martesat me shkuesi janë normë dhe shkalla e vetëvrasjes së femrave është ndër më të lartat në botë.

Herati, në veçanti, është përballur me nivele të larta të dhunës ndaj grave, kryesisht për faktin se është njëra nga krahinat më të mëdha dhe më të populluara në Afganistan. Drejtorja e Departamentit për Çështje të Grave në këtë qytet, Jamshidi Mahbubeh, thotë se zyra e saj ka regjistruar më shumë se 700 raste të dhunës ndaj grave vitin e kaluar.

Rastet, sipas saj, përfshijnë dhunën në familje, torturën, vrasjen, gjymtimin fizik dhe gratë që kanë kryer vetëvrasje.

Herati ka numrin më të madh të rasteve të vetëdjegies në vend. Shumë nga to përfshijnë gra të reja që djegin veten me karburant ose vaj gatimi. Sipas të dhënave të Departamentit për Çështje të Grave, të pkatën 80 gra kanë vdekur vitin e kaluar nga vetëdjegia.

Armand Halimzada, aktivist për të drejtat e njeriut, thotë se mjekët, hetuesit dhe aktivistët nuk kanë ardhur ende te ndonjë konstatim i saktë se psërse ka kaq shumë raste të vetëdjegies në Herat. Por, megjithatë, ka një teori.

Kjo praktikë e vetëdjegies i ka rrënjët në Iran dhe refugjatët afganë, me kthimin nga Irani, kanë sjellë edhe këtë kulturë”, thotë Halimzada.

Dhuna ndaj grave mbetet rutinë në Afganistan, edhe pse, me rrëzimin e talibanëve nga pushteti më 2001, ato kanë fituar të drejta në arsim, votë dhe punë. (v.t.)
XS
SM
MD
LG