Ndërlidhjet

logo-print
Ekzekutivi i vendit, të mërkurën ka nënshkruar kontratën me konsorciumin turk “Limak- Çalik” për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike. Mirëpo, njohës të çështjeve energjetike kanë shprehur dyshimet se kush do t’i monitorojë punët dhe premtimet financiare të pronarit të ri privat.

Gjatë nënshkrimit të kontratës, kompania fituese ka premtuar se për 15 vjetët e ardhshëm do të bëjë investime prej 300 milionë eurosh për distribuimin e energjisë elektrike.

Po ashtu, kompania është zotuar se privatizimi siguron furnizim stabil, kosto të përballueshme për qytetarët dhe në të njëjtën kohë do të mbrojë të drejtat e punëtorëve. Gjithashtu, punëtorëve u është siguruar kontrata trevjeçare.

Ethem Çeku, njohës i çështjeve energjetike, vë në dyshim ekzistencën e kompanive të profilizuara, të cilat do të monitorojnë investimet financiare të parapara në kontratë.

“Problem thelbësor për shtetin dhe institucionet kosovare është se a kemi kompani të profilizuar, apo mundet Zyra e Rregullatorit të Energjisë, të monitorojë investimet financiare, të cilat janë paraparë në kontratë”.

“Kemi pasur disa shembuj në Maqedoni dhe vendet tjera të rajonit, kur investitori ndonjëherë i ka ekzagjeruar, i ka rritur faturat e investimeve. Do të thotë është një frikë se a kemi të përgatitur mekanizma profesionalë për të parë, a është e zbatueshme e gjithë pakoja e investimeve që bëhet dhe a e ka koston reale”,
thotë Çeku.

Ndryshe, gjatë nënshkrimit të kontratës është thënë se investimet do të bëhen në koordinim me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë të Kosovës, i njohur me shkurtesën ZRRE.

Ndërkaq, zyrtarë të kësaj zyre, në një përgjigje përmes postës elektronike, thonë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë deri më tani ka aprovuar dhe monitoruar investimet e KEK-ut, si pjesë të shqyrtimeve tarifore.

Roli i ZRRE-së mbetet i njëjtë në këto procese, dhe kjo zyre thuhet se ka kapacitete të mjaftueshme për t’i kryer të gjitha obligimet, të cilat dalin nga legjislacioni primar dhe sekondar, duke përfshirë aprovimin e investimeve nga i licencuari.

Roli i ZRRE-së, është i përcaktuar në bazë të ligjeve në fuqi, pa marrë parasysh ndryshimin e pronarëve të operatorit të sistemit të shpërndarjes dhe furnizuesit publik me energji elektrike.

Por, Ethem Çeku thotë se kuadrot e reja të ZRRE-së duhet të kenë mbështetje të plotë nga Kuvendi, institucionet tjera dhe nga donatorët, për ta mundësuar një monitorim shumë të përpiktë dhe për të parë koston dhe vlerën reale të investimeve që bëhen.

Eksperti tjetër i energjisë, Nezir Sinani, ndërkaq shpreh shqetësimin se pronari i ri, investimet e premtuara prej 300 milionë eurosh, do të mundohet t’i rikthejë përmes ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.

“Çdo investim që bëhet në rrjetin e furnizimit me energji elektrike është investim kapital dhe, si i tillë, ai do të reflektohet në tarifat që konsumatori do t’i paguajë në Kosovë”.

“Kësisoj, kompania private e ka marrë në pronësi një rrjet me një çmim shumë të ulët, me një premtim se 300 milionë euro do të jenë investimet në të. Mirëpo, ajo që asnjëherë nuk flitet është se kjo kompani do të aplikojë për tarifa të reja për çdo vit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë”, thekson
Sinani.

Qeveria e Kosovës gjatë muajit qershor i ka shitur konsorciumit turk “Limak-Çalik”, Distribucionin dhe Furnizimin me Energji Elektrike, për 26.3 milionë euro.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG