Ndërlidhjet

Ndërron jetë një 65 vjeçar gjatë protestës në Athinë


Pamja nga protesta në Athinë
Pamja nga protesta në Athinë
BBC njofton se një 65 vjeçar ka pësuar sulm në zemër gjatë protestës masive që po mbahet në Athinë, për t’i kundërshtuar masat e shtrëngimit.

Raportohet se vdekja e tij nuk kishte të bënte me protestën, por protestuesit thonë se i ndjeri kishte ndërruar jetë si pasojë e gazit lotësjellës, të hedhur nga policia.

Më shumë se 30 mijë protestues u mblodhën sot në qendër të Athinës, përderisa shumica e bizneseve dhe e aktiviteteve të sektorit publik ndaluan punën, për t’iu bashkuar grevës 24 orëshe, të thirrur nga dy sindikatat më të mëdha të punëtorëve në vend, ADEDY dhe GSEE.

Tensionet u rritën kur një grup i protestuesve filloi të gjuante me copa mermeri, shishe dhe bomba të gazit në drejtim të barrikadave policore, gjë që e shtyu policinë të gjuante disa herë gaz lotësjellës, për t’i shpërndarë ata.

Kjo është hera e dytë brenda tri javësh që punëtorët grekë dalin në protesta masive, ndërsa greva e sotme ka për qëllim që t’u tregojë liderëve të BE-së, të cilët po marrin pjesë në Bruksel në samitin dy-ditor për krizën, se shkurtimet e pensioneve dhe pagat e reja do ta përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen e tyre.
XS
SM
MD
LG