Ndërlidhjet

logo-print

Eurozona - një hap më pranë mbikëqyrjes nga BQE


Ilustrim

Ilustrim

Liderët evropianë kanë lëvizur të premten një hap më pranë krijimit të një mbikëqyrësi të vetëm bankar në 17 vendet që përdorin euron, por detajet e marrëveshjes mbeten të paqarta.

Mekanizmi i udhëhequr nga Banka Qendrore Evropiane (BQE), i parë si një hap i madh drejt unionit bankar, do të ketë fuqinë të ndërhyjë në çdo bankë brenda Eurozonës.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, ka thënë se 27 liderët evropianë janë pajtuar për mekanizmin, me qëllim “parandalimin e rreziqeve bankare dhe infektimin ndërkufitar”.

Ai ka thënë se mekanizmi do të bëhet operacional në vitin 2013.

Duke folur në fund të samitit dyditor të BE-së, presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se marrëveshja do t’i mundësojë rajonit të përshpejtojë integrimin ekonomik.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se do të ishte e kënaqur nëse mekanizmi mbikëqyrës do të hynte në funksion në më pak se 12 muaj.

Marrëveshja ka qenë kompromis i Francës dhe Gjermanisë, të cilat më herët nuk janë pajtuar për numrin e bankave që do t’i mbikëqyrte Banka Qendrore Evropiane.
XS
SM
MD
LG