Ndërlidhjet

Maqedoni: Varfëria rritet, rastet sociale pakësohen!


Person i varfër duke ngrënë racionin e ushqimit të shpërndarë falas...
Person i varfër duke ngrënë racionin e ushqimit të shpërndarë falas...
Pavarësisht varfërisë së madhe, e cila, sipas të dhënave të fundit është mbi 30 për qind, nga Ministria e Punës dhe Politikës sociale kanë bërë të ditur për uljen e numrit të rasteve që shfrytëzojnë ndihma sociale, për 17 për qind.

Të dhënat e këtilla të uljes së ndihmave sociale jepen në kohën kur Maqedonia përballet me recesion dhe rritje të përditshme të çmimeve të produkteve ushqimore dhe të shërbimeve tjera komunale, që, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, janë të palogjikshme, pasi në kushte të këtilla do të duhej të ishte e kundërta, pra të ketë rritje të rasteve sociale.

Visar Ademi, profesor në Universitetin e Evropës Juglindorë në Tetovë, thotë se çdokush do të dëshironte që shifrat e prezantuara të jenë të sakta, por që në rastin e Maqedonisë, fatkeqësisht ato nuk qëndrojnë dhe janë si rezultat i më shumë faktorëve.

“Këta nuk janë numra realë, për shkak se Qeveria ka futur disa rregulla më rigide për personat që kërkojnë ndihma sociale, të cila nënkuptojnë se personi duhet të regjistrohet gjithmonë për të marrë ndihmën sociale dhe e dyta është politika e krijimit të fakulteteve dhe universiteteve në çdo fshat të Maqedonisë dhe personi i cili studion, nuk mund të jetë rast social. Domethënë, Qeveria fiktivisht i fshinë personat që marrin ndihma sociale, mirëpo papunësia ende mbetet e lartë”, thotë Ademi.

Ndërkohë, edhe Dragi Jovanovaski, ish-drejtues i sindikatës dhe ekspert juridik, thotë se janë absurde të dhënat që pretendojnë se në Maqedoni po ulet numri i personave që kërkojnë ndihma sociale.

“Në situatën e tanishme nuk mund të pretendohet se po ulet varfëria me atë se kanë hequr nga lista disa mijëra persona që deri tani kanë marrë ndihma sociale. Bëhet fjalë për masa administrative që janë miratuar nga Ministria e Punës, përmes të cilave eliminohen njerëzit - kjo nuk është shenjë e mirë”.

“Të dhënat e prezantuar nuk qëndrojnë, pasi numri i rasteve sociale dhe i të papunëve është shumë më i lartë. Nëse në Maqedoni kemi 1 milion e 700 mijë votues dhe nëse prej tyre 500 mijë janë punëtorë, kurse 300 mijë të tjerë janë në pension atëherë ku ndodhet numri tjetër prej mbi 800 mijë persona që nuk kanë kurrfarë të ardhurash”, vlerëson Jovanovski.

Nga ana tjetër, të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Politikës sociale, thonë se rreth 40 mijë familje në Maqedoni shfrytëzojnë ndihma sociale, kurse 3 mijë 500 persona shfrytëzojnë kuzhinat popullore nëpër qytete të ndryshme të vendit.

Sa i përket rajoneve, më të prekura, në aspekt të varfërisë, mbeten ato të pjesës veri-perëndimore të vendit, përfshirë zonat e banuara me popullatë shqiptare. Këtë e ka vërtetuar edhe një studim mbi varfërinë i realizuar me ndihmën e Ambasadës Austriake.

Profesori Visar Ademi thotë se kjo pjesë e popullatës mbijeton kryesisht me ndihmat e mërgatës.

“Mendoj që pjesa më e madhe e Maqedonisë perëndimore jetojnë fatkeqësisht nga transferet nga jashtë. Këtë e ka pranuar edhe Banka Popullore e Maqedonisë, sipas së cilës, remitencat janë në nivel të lartë. Fatkeqësisht, ende kemi persona, që dërgojnë para nga jashtë, me të cilat ushqehet e gjithë familja”, thekson Ademi.

Ndryshe, varfëria dhe aspektet tjera ekonomike janë theksuar edhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian, si dy sfida kryesore, më të cilat Qeveria duhet të përballet në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG