Ndërlidhjet

Takimi që e “theu akullin”


Hashim Thaçi dhe Catherine Ashton me ndërmjetësimin e së cilës u realizua takimi Thaçi-Daçiq. Bruksel 19 tetor 2012.

Hashim Thaçi dhe Catherine Ashton me ndërmjetësimin e së cilës u realizua takimi Thaçi-Daçiq. Bruksel 19 tetor 2012.

Takimi i kryeministrave të dy vendeve, të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë, i cili ka ndodhur në Bruksel, është mjaft pozitiv edhe pse ky takim më tepër ka vlerën simbolike, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në Kosovë.

Analisti i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, thekson se takimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me kryeministrin serb Ivica Daçiq, është fillimi i hapjes së rrugës për rregullimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjë që edhe është kërkesë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të përfundohet struktura e re e sigurisë dhe e stabilitetit të rajonit.

“Është një takim që, për momentin, ka më shumë vlerën simbolike apo të ‘thyerjes së akullit’, po është shumë me rëndësi, në kuptimin se hap rrugë për zhbllokimin e Kosovës në ecurinë e saj që të njihet pavarësia e saj në mënyrë universale. E dimë se i kemi bllokadat edhe për ecurinë e Kosovës drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara, por edhe në Bashkimin Evropian”, thotë Maliqi.

Edhe analisti tjetër, Shenoll Muharremi, e vlerëson si pozitiv takimin ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit, takim të cilin, sipas tij edhe shumica e partive politike, por edhe opinioni në vend, e kanë pranuar si diçka të nevojshme për Kosovën.

“Mendoj se është pozitive që është mbajtur takimi, për shkak se ne pa diskutuar, nuk mund t’i zgjidhim mosmarrëveshjet që i kemi. Andaj, ne shpresojmë që takimet e ardhshme kanë për të qenë të strukturuara. Por, gjithashtu, kërkojmë nga kryeministri Thaçi që të jetë transparent dhe t’i marrë parasysh opinionet dhe pozicionet e partive politike dhe shoqërisë civile në Kosovë, kur bisedon me Serbinë”, shprehet Muharremi.

Analisti Maliqi vlerëson se takimi i dy kryeministrave, të Kosovës dhe Serbisë, është takim inaugurues i dialogut politik, ku përcaktohen kornizat e tij.

“Takimi i parë, besoj se ka qenë më shumë protokollar dhe me deklarime parimore, por është thënë se në nëntor do të jetë vazhdimi, do të thotë, takimi i dytë”.

“Besoj se të dyja palët, atëherë do t’i kenë platformat e veta paraprake dhe do të bisedojnë edhe për kornizën dhe për temat, për të cilat do të bisedohet. Cilat janë temat e reja që do të hapen, kjo është diçka që është më e ndjeshme. Besoj se ky vit do të kalojë në përcaktimin e tyre (temave) dhe dialogu i vërtetë do të fillojë, besoj, pas vitit të ri”,
vlerëson Maliqi.

Ndërkaq, analisti Muharremi shpreh mendimin se, ndryshe nga takimi i parë i dy kryeministrave, të Kosovës dhe të Serbisë, i cili, siç thotë ai, ishte më shënjues, takimet e ardhshme nuk do të ngjallin shumë bujë.

“Tash, ne i dimë interesat e palëve dhe ne shpresojmë që Kosova është në pozitë më të mirë se sa që ka qenë më herët, pas formulimit që ka bërë Bashkimi Evropian, rreth respektimit të integritetit territorial të Kosovës”.

“Unë mendoj se edhe partitë opozitare - edhe ato që janë më të zhurmshmet - në vend se të përdorin qasje më tradicionale dhe konservative, duhet të bëhen më pragmatike dhe më kreative, në mënyrë që të ofrojnë solucione dhe t’i ndihmojnë pozicionit të Kosovës karshi Serbisë dhe Brukselit, për të pasur në fund një solucion sa më të favorshëm për Republikën e Kosovës”
, thekson Muharremi.

Ndryshe, takimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, ka ndodhur një ditë pas miratimit të rezolutës nga ana e Kuvendit të Kosovës, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG