Ndërlidhjet

Thaçi: Takimi në Bruksel hap kapitull të ri


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

"Ky takim është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për fqinjësi të mirë dhe me rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për normalizimin e marrëdhënieve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Pra, ka ekzistuar një konsensus i gjerë politik, më herët, i konsultuar dhe i aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Ky takim hap një kapitull të ri, një etapë të re në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë-Serbi", thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryeminstri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, takimi i juaj me kryeministrin e Serbisë në Bruksel ishte i pari i këtij niveli dhe i këtij lloji pas përfundimit të luftës. Si e vlerësoni ju këtë takim dhe a ishte i vështire për ju?

HASHIM THAÇI
Takimi im si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës me kryeministrin e Serbisë, zotin Ivica Daçiq, ka ardhur si rezultat i takimeve të mëhershme që kemi zhvilluar me baroneshën Catherine Ashton.

Ky takim ka qenë i organizuar dhe i lehtësuar prej baroneshës Ashton, pra prej Bashkimit Evropian, me mbështetje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky takim është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për fqinjësi të mirë, po ashtu në përputhshmëri të plotë edhe me rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për normalizimin e marrëdhënieve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Pra, ka ekzistuar një konsensus i gjerë politik, më herët, i konsultuar dhe i aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Ky takim hap një kapitull të ri, një etapë të re në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë-Serbi.



Në të njëjtën kohë, takimi hap edhe një perspektivë për evropianizimin e gjithë rajonit. Ne kemi zhvilluar luftë me njëri-tjetrin. Kosova ka fituar luftën, tani duhet ta ndërtojë paqen - të zhvillohemi dhe të lëvizim drejt integrimeve në NATO dhe në Bashkim Evropian.

Natyrisht, se takimet e tilla nuk janë të lehta. Njeriu duhet të dalë mbi emocionet e veta, apo egot e veta, por ne jemi liderë dhe kemi përgjegjësi shtetërore që të punojmë për interesat e shtetit dhe interesat e gjeneratave të ardhshme. Pra, takimi në Bruksel mes meje dhe Daçiqit është zhvilluar në një klimë korrekte dhe konstruktive.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur shumë raporte në media lidhur me këtë takim. Çka, konkretisht, keni biseduar me Daçiqin? Cilat ishin temat që u trajtuan?

HASHIM THAÇI
Synimi edhe i rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, por edhe vizioni im, është që të kemi një proces të evropianizimit të raporteve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë - gjithmonë duke kujtuar të kaluarën e hidhur dhe dhunën që ka ushtruar Serbia në Kosovë për një shekull të tërë, duke u larguar dhe ushtruar gjenocid, por Kosova është fituese.

Ne, edhe në Bruksel sillemi ashtu si jemi, shtet i pavarur dhe sovran, prandaj ne duhet të punojmë maksimalisht për fqinjësi të mirë, për normalizim të marrëdhënieve, që hapin rrugë të sigurt të implementimit të të gjitha standardeve dhe kritereve evropiane.

Tani duhet të vazhdohet me implementimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura, të bisedave teknike, në veçanti të bashkëpunimit regjional dhe IBM-së, në mënyrë që të kemi edhe hapësira të mjaftueshme, që do të krijojnë kushte dhe rrethana, që i gjithë rajoni ynë të bashkëpunojë, e në të cilat do të ketë paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë euro-atlantike.

Temat e veçanta janë ato që janë diskutuar për dy vjet të tëra, do të thotë vazhdimi i implementimit të marrëveshjeve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Natyrisht, Serbia të sillet në mënyrë evropiane në raport me Republikën e Kosovës, dhe ky është edhe mesazhi i qartë i baroneshës Ashton për Serbinë. Ky është mesazh i qartë, gjithashtu, edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja për Serbinë dhe sjelljen e saj agresive dhe cenuese ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Prandaj, unë dua të shpresoj se ky takim do të jetë edhe një mesazh i qartësisë së politikës së Beogradit se pa sjellje sipas parimeve dhe standardeve euro-atlantike në raport me Kosovën, do të vazhdojnë të mbesin të izoluar dhe të pazhvilluar, por në të njëjtën kohë, të jenë edhe në një pozicion jo të lakmueshëm karshi partnerëve ndërkombëtarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Për takimin me kryeministrin Daçiq ka pasur reagime të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës. Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Philip Reeker, tha se Uashingtoni fuqishëm mbështet dialogun Kosovë-Serbi. Por lëvizja opozitare, Vetëvendosje, e ka kritikuar këtë takim. Si i shihni ju mbështetjet dhe kritikat lidhur me takimin?

HASHIM THAÇI
Takimi është përshëndetur nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, është udhëhequr nga BE-ja, është përshëndetur dhe përkrahur fuqimisht nga SHBA-ja, nga NATO, dhe nga të gjithë miqtë dhe partnerët tanë. Në të njëjtën kohë, në Kosovë është krijuar një konsensus i gjerë i spektrit politik civil, por edhe akademik, për domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë-Serbi.

Ne jetojmë në demokraci dhe zërat e ndryshëm janë ata që janë, por janë zëra të njëjtë ata që kanë qenë kundër Konferencës në Rambuje, e cila solli bombardimet e NATO-s dhe lirinë e Kosovës. Janë kundër ata që ishin kundër dialogut në Vjenë, i cili solli pavarësinë e Kosovës, dhe janë po të njëjtit që janë kundër normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që do të çojë Kosovën drejt anëtarësimit në NATO, Bashkim Evropian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Ashton pati thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë i vështirë për të dyja palët, në kuptimin që do të ketë vendime të vështira. A mund të na thoni se cilat mund të jenë vendimet e vështira?

HASHIM THAÇI
Natyrisht se do të ketë ballafaqime të ideve dhe angazhimeve që nuk do të jenë të lehta, sepse ka qenë një konflikt njëshekullor, i përcjellë me dhunë të Serbisë në Republikën e Kosovës, dhe çdo qytetar i Kosovës, por edhe unë si kryeministër i saj, para së gjithash si qytetar, kam emocionet e mia në këtë raport me shtetin e Serbisë dhe liderët e saj.

Mendoj që secili nga ne duhet të dalë mbi vetveten, mbi interesat e ngushta partiake dhe t’i shikojmë interesat e shtetit. Dhe, kur të respektohet në plotni rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kushtetuta dhe ligjet e saj, mendoj që mund të ketë vështirësi në proces, por jam i bindur se do të fitojë fryma evropiane - e ky është vizioni ynë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë vendimesh të vështira mund të ketë për Kosovën?

HASHIM THAÇI
Ky ka qenë takimi i parë protokollar, simbolik. Prandaj, nuk është diskutuar për çështje konkrete, por për domosdoshmërinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura.

Deri më tani është diskutuar dhe është kërkuar që të dy palët të punojmë më tepër, në veçanti Beogradi, që të mos krijojë vështirësi dhe hezitime, por e kam ngritur domosdoshmërisht çështjen e të pagjeturve, që kjo çështje të zbardhet sa më shpejt, sepse është jo politike, është krejt humanitare dhe Beogradi e ka obligim të punojë maksimalisht në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se pa zbatimin e marrëveshjeve nuk ka dialog. A e mbani ende këtë qëndrim?

HASHIM THAÇI
Zbatimi i marrëveshjeve ka filluar, duhet të intensifikohet dhe të përmbyllet.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mund të pritet raundi i ardhshëm i dialogut me Serbinë dhe kush do të jenë udhëheqësit e delegacioneve, meqë është thënë se ai do të jetë i nivelit të lartë?

HASHIM THAÇI
Bashkimi Evropian është udhëheqës i këtij procesi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani edhe me konfirmimin për vizitën në Kosovë të sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, demonstrojnë fuqishëm mbështetjen për këtë proces. Vlerësoj se në muajin e ardhshëm mund të ketë takime të tjera, ndërsa unë do ta informoj skenën politike kosovare dhe institucionet kosovare për hapat e mëtejshëm, në mënyrë që të kemi një koordinim të gjerë politik, civil dhe akademik.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të jeni ju sërish në takimin e radhës?

HASHIM THAÇI
Ne do të sillemi në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe përgjegjësitë që i kemi, por synimi ynë është një përfshirje e gjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Për fund... A mund të na shpjegoni pak edhe për platformën e këtyre bisedimeve?

HASHIM THAÇI
Ne do të diskutojmë si spektër politik, dhe gjithçka çka ne do të veprojmë në konceptin dhe platformën tonë, do të jetë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Por, në platformë kemi punuar dhe duhet të plotësohet edhe nga të tjerët. Kosova është gati në kuptimin politik të platformës, por edhe në atë teknik.
XS
SM
MD
LG