Ndërlidhjet

Të hënën debati i tretë dhe i fundit Obama - Romney


Presidenti Barack Obama dhe kandidati republikan Mitt Romney gjatë debatit të dytë...
Presidenti Barack Obama dhe kandidati republikan Mitt Romney gjatë debatit të dytë...
Dy javë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, shumica e sondazheve të opinionit publik sugjerojnë se gara ndërmjet Obamas dhe Romneyit është shumë e ngushtë.

Vëzhguesit politikë thonë se përderisa Obama ka një histori në politikën e jashtme si president, kandidati republikan, Mitt Romney, nuk ka fare përvojë në atë fushë.

Stephanie Sanok, zëvendësshefe e Programit Ndërkombëtar për Siguri në Qendrën Ndërkombëtare për Studime Strategjike në Washington, thotë se Obama do të bëjë përpjekje që t’i portretizojë katër vitet e tij si president, si sukses të plotë në politikën e jashtme të vendit.

“Presidenti, absolutisht, do t’i përmendë sukseset e tij në politikën e jashtme. Gjithçka, duke filluar nga Osama Bin Ladeni, e deri te zgjedhja e tij për ta përkrahur Pranverën Arabe. Mendoj se ai do të flasë, gjithashtu, edhe për fokusimin e fuqisë amerikane dhe ribalanncimin drejt Paqësorit, si dhe drejt Lindjes së Mesme. Ai do të flasë për sukseset e tij në këto rajone. Ai, gjithashtu, do ta përmendë faktin se me sa sukses janë tërhequr nga Iraku dhe do ta përmendë vendosjen e një afati kohor për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani deri në fund të vitit 2014”, thotë Sanok.

Sa i përket luftës në rajonin e Afganistanit dhe Pakistanit, Sanok thekson se veçanërisht Romney duhet të jetë shumë specifik.

“Çfarë mendon guvernatori Romney për të ardhmen e ushtrisë në Afganistan, për dallim nga ajo që e mendon Obama? Nëse tërheqja bëhet në fund të vitit 2014, si do të vazhdosh ta përkrahësh Afganistanin, çfarë do të duan afganët? Dhe, pastaj Pakistani. Cila duhet të jetë politika amerikane ndaj Pakistanit?”, i ngre këto dilema Stephanie Sanok.

Sa i përket Iranit, Romney ka thënë se ai nuk do ta lejonte Iranin që ta shtonte kapacitetin për zhvillimin e armëve bërthamore, përderisa Obama ka thënë se ai nuk do ta lejonte Teheranin që të “siguronte” armë bërthamore. Sipas Sanok, të dy kandidatët duhet të jenë shumë të qartë në këtë çështje.

“Kjo është një fushë, për të cilën të dy kandidatët duhet të jenë të qartë. Që të dy duhet të tregojnë se cilat janë planet e tyre për Iranin. A janë mundësitë ushtarake në tavolinë? Kur ju flisni për mundësitë që Irani të bëhet një shtet i armëve bërthamore, në çfarë pike një gjë e tillë bëhet realitet? Mendoj se që të dy kandidatët duhet të flasin për rolin në Kombet e Bashkuara”, shprehet Sanok.

Fushata e Romneyit ka bërë përpjekje që vrasjen e ambasadorit amerikan në Libi, gjatë sulmit në Benghazi në muajin shtator, ta portretizojë si dëshmi të udhëheqësisë së dobët të Obamas.

Gjatë debatit të dytë, të mbajtur javën që shkoi, Romney ishte i paqartë rreth dilemës nëse Obama e kishte quajtur sulmin në Benghazi “akt terrorist”. Romeny thoshte se Obama nuk e kishte quajtur sulmin të tillë, përderisa udhëheqësja e debatit, e kishte demantuar Romneyin, duke shtuar se Obama e kishte pranuar të nesërmen se bëhej fjalë për një akt terrorist.(v.k.)
XS
SM
MD
LG