Ndërlidhjet

Mërkiq pritet me protesta në Tiranë


Protestuesit kundër vizitës së ministrit të Jashtëm serb në Tiranë, 22 tetor, 2012

Protestuesit kundër vizitës së ministrit të Jashtëm serb në Tiranë, 22 tetor, 2012

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivan Merkiq ka thënë se vizita e tij në Tiranë ka një rëndësi të veçantë për ripërtëritjen e marrëdhënieve në rajon, njotojnë mediat në Shqipëri.

Kjo, ka thënë ai në një deklaratë për media, është në interesin e Serbisë pasi “deri më tani ka pasur konsultime të ndryshme me homologë të shumë vendeve të rajonit dhe Serbia është e interesuar për marrëdhënie të mira”.

“Në Tiranë prej kohësh nuk ka qenë ministri i Jashtëm serb dhe kjo është një vizitë në kuadër të turneut tim ballkanik. Shpresojmë që do të krijojmë baza për një bashkëpunim më të mirë”, ka thënë ministri serb.

Vizita e shefit të diplomacisë serbe në Tiranë është pritur me protesta nga Aleanca Kuqezi në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Aktivistët me flamuj dhe banderola ku shkruhej “Shqipëria është Kosovë”, kanë qëndruar në daljen “VIP” të aeroportit, ku dhe pritej të kalonte Ivan Mërkiq.

Por, në momentin e fundit eskorta me diplomatin serb, sic transmetojnë mediat shqiptare, ka ndërruar drejtim duke dalë nga një zonë tjetër e aeroportit, duke shmangur kështu edhe protestën.

Më herët sekretari për Çështjet Ndërkombëtare në Aleancën Kuqezi, Lisien Bashkurti, akuzoi Ministrinë e Jashtme për mbajtjen të fshehtë të vizitës, duke e cilësuar këtë veprim si antikombëtar.

“Është detyrim i politikës së jashtme së diplomacisë shqiptare të informojë menjëherë, së pari për CV-në e ministrit të Jashtëm të Serbisë, i cili është pasuesi i Millosheviqit Nikoliqit dhe e gjithë asaj klase politike që bëri gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë dhe që nuk e pranojnë këtë. Së dyti, duhet të ishte njoftuar agjenda e këtij takimi që deri tani mbahet të konspiracion të plotë dhe së treti, të zbardhen rezultat e këtyre bisedimeve. Aleanca Kuq e Zi tërheq edhe njëherë vëmendjen, që asnjë bisedim, as një hap, as një akt nuk duhet të ndërmarrë politika e jashtme shqiptare, pa kushtëzuar Serbinë me njohjen e pavarësisë, sovranitetin dhe tërësisë territoriale të Kosovës”, ka thënë Bashkurti.

Ministri i Jashtëm serb, Ivan Mrkiç gjate vizitës në Tiranë pritet të takohet me homologun Panariti si dhe kryeministrin Sali Berisha.

Prej disa vitesh Tiranën zyrtare nuk e ka vizituar një zyrtar i diplomacisë serbe.
XS
SM
MD
LG