Ndërlidhjet

SHBA: Obama, Romney - përplasje në politikën e jashtme

  • RFE /RL

Presidenti amerikan, Barack Obama, dhe rivali i tij republikan, Mitt Romney, janë përplasur ashpër lidhur me disa çështje të politikës së jashtme gjatë debatit të tretë dhe të fundit televiziv, që u mbajt të hënën vonë në Boca Raton të Floridës.

Gjatë 90 minutave të debatit, presidenti Obama është përpjekur ta paraqesë rivalin e tij Mitt Romney, se nuk është i gatshëm të jetë president, derisa Romney tha se udhëheqja e presidentit Obama e ka bërë Amerikën më të dobët në skenën botërore.

Debati i tretë dhe i fundit televiziv ndërmjet presidentit Barack Obama dhe rivalit të tij republikan, u mbajt në periudhën kur hulumtimet e opinionit tregojnë se gjasat e tyre në zgjedhjet e 6 nëntorit janë pothuajse të barabarta, meqë secili e ka mbështetjen në shkallën 47%.

Në fillim të debatit, presidenti Obama, e sulmoi zotin Romney, duke thënë se ai nuk ka politikë të jashtme të qartë, meqë ai, si biznesmen dhe ish guvernator i Masaçusetsit, i ka ndryshuar qëndrimet e shprehura për çështjet siç janë Siria, Irani, Rusia dhe Kina.

Obama tha se sanksionet e intensifikuara ndërkombëtare kundër Iranit, për programin e tij bërthamor, kanë ndikuar në ekonominë e Iranit dhe ka shfaqur përkushtimin se gjatë presidencës së tij Irani kurrë nuk do të jetë në gjendje të prodhojë armatim atomik.

Në këtë aspekt, zoti Obama theksoi:

Për çështjen e Iranit... aq gjatë sa unë të jem president i Shteteve të Bashkuara, Irani nuk do të ketë armatim atomik. Këtë e kam bërë të qartë kur e fillova presidencën. Atëherë ne organizuam koalicionin më të fuqishëm dhe sanksionet më të fuqishme kundër Iranit në histori, dhe kjo po e paralizon ekonominë e tyre”.

Monedha e tyre ka rënë për 80%. Prodhimi i tyre i naftës ka shënuar nivelin më të ulët prej se ata luftuan kundër Irakut, para 20 vitesh. Prandaj, ekonomia e tyre është krejtësisht e çrregulluar. Arsyeja përse e bëmë këtë ishte për shkak se Irani bërthamor është kërcënim për sigurinë tonë kombëtare dhe është kërcënim për sigurinë kombëtare të Izraelit”, tha presidenti Barack Obama.

I pyetur për Pakistanin, kandidati republikan për president amerikan, Mitt Romney, ka pranuar se me këtë vend ekzistojnë raporte të vështira, por tha se nuk duhet të ketë “shkurorëzim” ndërmjet Uashingtonit dhe Islamabadit, pasi Pakistani, i cili “shpërbëhet” do të ishte një “rrezik i jashtëzakonshëm”.

Pakistani është i rëndësishëm për rajonin, për botën dhe për ne, pasi Pakistani i ka 100 koka bërthamore dhe ata po nguten të prodhojnë edhe më tepër. Ata do të kenë më tepër se Britania e Madhe në një kohë, në një të ardhme relativisht të afërt. Ata po ashtu e kanë rrjetin Haqqani dhe Talibanët, që ekzistojnë në territorin e këtij vendi”.

Prandaj, nëse Pakistani shpërbëhet, shndërrohet në shtet të dështuar, do të jetë rrezik i jashtëzakonshën për Afganistanin dhe për ne. Prandaj, ne duhet të ndihmojmë në inkurajimin që Pakistani të lëvizë drejt një qeverie më stabile”, tha Mitt Romney.

Obama dhe Romney patën qëndrime diametralisht të kundërta lidhur me atë se cili është kërcënimi madhor për Shtetet e Bashkuara. Derisa Obama konsideron se ky është terrorizmi, Romney tha se kërcënim madhor është programi bërthamor iranian.

Por, ka pasur edhe qëndrime identike për disa çështje.
Në këtë kuadër, ata të dy shprehën përkushtim për ta mbrojtur Izraelin dhe për ta parandaluar Iranin nga prodhimi i armatimit atomik.

Lidhur me Afganistanin, të dy kandidatët janë pajtuar se tërheqja e forcave të jashtme duhet të bëhet sipas planit deri në fund të vitit 2014.

Analistja Stephanie Sanok, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë, se Obama dhe Romney, e shpenzuan një pjesë të caktuar të kohës duke folur, jo për politikë të jashtme, por për çështje të brendshme.

Ajo që ishte goditëse për mua ishte ajo se ishte një rast i madh për të dy kandidatët që të flasin për vizionin e gjerë për udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, por unë këtë nuk e pashë, prandaj ishte baras. Mendoj se asnjëri nuk u largua me fitore të qartë”, tha analistja Sanok. (f. b.)
XS
SM
MD
LG