Ndërlidhjet

Kosova shënon përparim në bërje biznesi


Ilustrim
Ilustrim
Për herë të parë, që prej përfshirjes së Kosovës në raportin e Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”, Kosova shënon përparim. Në raportin e fundit të Bankës Botërore për bërjen e biznesit, Kosova ka zënë vendin e 98-të, në krahasim me vendin e 117-të sa kishte vitin e kaluar.

Vlerësimi i këtij raporti bazohet në 11 indikatorë: fillimi i biznesit, marrja e lejes për ndërtim, sigurimi i energjisë elektrike, regjistrimi i pronës, marrja e kredisë, mbrojtja e investitorëve, pagesa e taksave, zbatimi i kontratave, zgjedhja e pamundësisë së borxhit, tregtia përmes kufjeve dhe punësimi i punëtorëve.

Sipas raportit të Bankës Botërore, tek mbrojtja e investitorëve Kosova është ngritur për 74 pozita më lartë, duke e bërë ngritjen më të madhe krahasuar me indikatorët tjerë të këtij raporti.

Matja është bërë në 183 vende të ndryshme të botës.

Në krahasim me vendet e rajonit, Bosnja e Hercegovina është radhitur më keq, duke fituar vendin e 128-të.

Maqedonia ka vendin e 23-të, Mali i Zi të 51-in, Shqipëria vendin e 85-të dhe Serbia në vendin e 86-të.

Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kanë deklaruar se janë duke bërë reforma rrënjësore në përmirësimin e ambientit afarist në Kosovë.

Në kuadër të këtyre reformave, është bërë shkurtimi i kohës për regjistrimin e biznesit nga 52 ditë në vetëm tre ditë për shoqëri aksionare. Janë hapur 26 qendra për regjistrim të biznesit “one-stop-shop” ku bizneset mund t’i kryejnë të gjitha shërbimet në një vend dhe të marrin numrin e regjistrimit të biznesit, bashkë me numrin fiskal brenda ditës në një dokument të vetëm.

Në një komunikatë për media të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ndërkaq thuhet se, disa nga reformat e ndërmarra nuk janë marrë parasysh në këtë raport, posaçërisht në regjistrimin e biznesit ku MTI ka shkurtuar kohën dhe procedurat, por kjo nuk u pasqyrua në këtë raport.

“Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari – Lila do ta adresojë këtë çështje sa më parë tek Banka Botërore, e cila nëse nuk ndikon në përmirësimin e rangimit këtë vit, të paktën të merret parasysh për vitin që vjen. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e përkushtuar të vazhdojë reformat në përmirësimin e ambientit më të favorshëm për të bërë biznes”, thuhet në njoftimin për media.

Ekspertë të çështjeve ekonomike vazhdimisht kanë kritikuar autoritetet e Kosovës për ambient të pafavorshëm biznesor, duke theksuar se në Kosovë është më vështirë të bësh biznes se në çdo vend tjerët të rajonit.

Për të lehtësuar punën e bizneseve, përveç thjeshtësimit të procedurave për të filluar biznesin, ekspertët kishin propozuar hapjen e rrugëve për burime të reja të financimit.

Një segment tjetër që do të përmirësonte ambientin biznesor, sipas tyre, është edhe funksionimi i duhur i sistemit gjyqësor.
XS
SM
MD
LG