Ndërlidhjet

Jahjaga e gatshme të takojë këdo në mbrojtje të interesave të shtetit


Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka theksuar se është e gatshme që të takojë kudo, kurdo dhe këdo, duke përfaqësuar interesat e shtetit dhe të popullit të Kosovës, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Kjo përgjigje nga presidenca pason paralajmërimin e presidenti malazez, Filip Vujanoviq , se do të ftojë presidentin e Serbisë Tomisllav Nikolliq në takimin e shefave të shteteve të rajonit, në të cilin do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu, ka thënë se zonja Jahjaga, përfaqëson shtetin e Kosovës në takimet dhe vizitat zyrtare.

“Samiti i Presidentëve i vendeve të Ballkanit është tradicional dhe deri tash është mbajtur në Vlorë, në Prizren dhe në Ohër. Kësaj radhe, ky forum i rëndësishëm rajonal, që ngre çështje të bashkëpunimit dhe avancimit të marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore, në cilësi të barabartë si shtete të pavarura dhe sovrane, zhvillohet në Mal të Zi”, ka thënë Vllahiu.

Ai ka shtuar gjithashtu se “presidentja Jahjaga do të takohet me te gjithë homologët e saj dhe këtë e ka deklaruar sa e sa herë”.

“Deri tash Serbia i ka bojkotuar këto Samite për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës. Shpresojmë qe Presidenti i Serbisë Nikoliq, ashtu siç kemi deklaruar me rastin e zgjedhjes se tij, ta gjejë guximin dhe kurajën që të bëjë atë që nuk e kanë bërë paraardhësit e tij: të ndërmarrë hapa për të vendosur marrëdhënie të mira dhe paqësore me shtetin e Kosovës, që do të ndihmonte dy vendet tona të pavarura të ecin në rrugën e integrimeve evropiane” ka thënë Vllahiu.
XS
SM
MD
LG