Ndërlidhjet

logo-print

Sparkes: Edhe pas normalizimit me Serbinë mbesin shumë sfida


EULEX

EULEX

Procesi i nisur me takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq duhet ta shtojë vëmendjen për sundimin e ligjit në veri të Kosovës, tha të martën në Prishtinë, zëvendësshefi i misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, Andrew Sparkes.

Në konferencën me temën ''Ndikimi i EULEX-it në përafrimin e Kosovës me BE-në'', Sparkes theksoi rëndësinë për zhbërjen e strukturave të paligjshme serbe në veri të Kosovës.

“Besoj se procesi që ka nisur me takimin ku kryeministri Thaçi dhe ai Daçiq përfaqësojnë shtetet e tyre, mund të sjellë fryte në kuptimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dy popujve. Një gjë që duhet të dalë nga ky zvogëlim tensionesh dhe ky normalizim është që t’i shtohet vëmendja sundimit të ligjit në veri të Kosovës".

"Edhe nga këndvështrimi i Rezolutës 1244 - pra, nga këndvështrimi neutral karshi statusit, nuk është në rregull që Serbia të ketë veprues klandestinë dhe kriminelë në veri të Kosovës dhe ato duhet të hiqen
”, u shpreh ai.

Megjithatë, Sparkes tha se edhe pas zgjidhjes së problemeve me fqiun e saj verior, për Kosovën do të mbesnin shumë sfida në procesin e integrimit evropian.

Edhe nëse Kosova s’do të kishte fare probleme me fqinjët e saj, do të mbesnin ende shumë sfida për t’i arritur standardet e duhura. Edhe nëse nuk do të kishit probleme me Serbinë, do të duhej të tejkalonit ende shumë sfida”, theksoi ai, për të shtuar se rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe përmirësimi i situatës në sistemin e drejtësisë janë të domosdoshme që Kosova fillimisht të nënshkruajë Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me BE-në, për të vazhduar fazat pasuese gjatë integrimit në këtë mekanizëm.

Diplomati britanik i bëri thirrje qeverisë që ta krijojë një strategji të re anti-korrupsion, ndërsa theksoi nevojën për një definim të qartë të kësaj dukurie në legjislacionin vendor.

Ekziston nevoja që ligji kosovar të jetë më i qartë mbi atë se çfarë është korrupsioni. Është tepër e komplikuar për gjykatësit dhe avokatët të gjejnë mënyra për t’i dënuar njerëzit për korrupsion. Pra, struktura legjislative duhet të rishikohet”, tha ai.

Me rolin ekzekutiv që ka mësohet se EULEX-i aktualisht është i përfshirë në 253 hetime penale; 32 gjykatësit e misionit thuhet se kanë marrë vendim në 176 raste në të cilat 98 njerëz janë gjetur të pafajshëm, 231 janë shpallur fajtorë dhe 228 janë burgosur.

EULEX-i aktualisht ka një staf prej 2,200 punonjësish me rol mbështetës, këshillues dhe lehtësues në polici, dogana dhe drejtësi dhe me rol ekzekutiv në disa raste.

I angazhuar në vitin 2008 si mision neutral karshi statusit të Kosovës, mandati i EULEX-it vazhdon deri në qershor të 2014-ës.
XS
SM
MD
LG