Ndërlidhjet

Panariti e Mrkiq angazhohen për forcim bashkëpunimi


Pamje nga takimi me gazetarë
Pamje nga takimi me gazetarë
Ministri i jashtëm shqiptar, Edmond Panariti dhe homologu i tij serb, Ivan Mrkiq, kanë thënë sot në Tiranë se angazhohen për forcimin e bashkëpunimit, me gjithë dallimet që ekzistojnë në çështje të ndryshme midis dy vendeve.

Në një takim të përbashkët me gazetarët, Mrkiq ka thënë se “qeveria serbe është e përkushtuar të zhvillojë lidhje të fuqishme me Shqipërinë dhe të gjejë pika të përbashkëta, pavarësisht dallimeve thelbësore që ndajnë të dyja vendet”.

Zoti Panariti nga ana e tij ka përshëndetur takimin e javës së kaluar ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, njoftojnë mediat në Shqipëri.

“Çështjet e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë i konsiderojmë si çështje mes dy vendeve sovrane, të pavarura, të cilat nëpërmjet dialogut, vullnetit të përbashkët do të përpiqen të zgjidhin të gjitha çështjet që qëndrojnë mes tyre”, tha Panariti.

Gjatë takimit është ngritur edhe çështja e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe integrimi i tyre në institucionet përkatëse.

Vizita e ministrit Mrkiq në Shqipëri është e para që prej tetë vjetësh. Në vitin 2004, në cilësinë e ministrit të jashtëm, Shqipërinë e pati vizituar Vuk Drashkoviq.
XS
SM
MD
LG