Ndërlidhjet

logo-print

VOA: Shqipëri-Serbi, bisedime për të nxitur bashkëpunimin


Ivan Mrkiq dhe Edmond Panariti

Ivan Mrkiq dhe Edmond Panariti

Armand Mero, "Zëri i Amerikës"

Shqipëria dhe Serbia angazhohen të përmirësojnë dhe forcojnë marrëdhëniet dy palëshe, pavarësisht dallimeve të thella vecanërisht për cështjen e Kosovës. Ministri i Jashtëm serb Ivan Mrkiq deklaroi sot në Tiranë se qeveria e tij kërkon një bashkëpunim të fortë me Tiranën, ndërsa shtoi se ajo është angazhuar për të cuar përpara bisedimet me Prishtinën.

Nga ana e tij ministri i jashtë shqiptar Edmon Panariti tha se Shqipëria do të mirëpriste që në përfundim të bisedimeve Beogradi të njihte pavarësinë e Kosovës, si një shenjë e shkëputjes nga e kaluara e dhunës dhe genocidit të regjimit të Milloshevicit

Tirana dhe Beogradi po përpiqen të shkrijnë akujt mes tyre dhe të nxisin një bashkëpunim më të ngushtë mes tyre.

Në të dyja takimet që ministri i jashtëm serb Ivan Mrkiq pati sot me homologun e tij shqiptar Edmond Panarit dhe kryeministrin Sali Berisha, kjo çështje ishte në qendër të bisedimeve.

Për kryeministrin shqiptar të dyja palët duhet të hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet e tyre, pa patur si pengesë të shkuarën.

Edhe ministri Panariti theksoi se nga pala shqiptare ekziston vullneti për të realizuar hapa konkret.

“Marrëdhëniet mes nesh janë përmirësuar gradualisht ndër vite, ramë dakord se këto marrëdhënie duhet të zhvillohen në mënyrë më dinamike, më të hapur dhe të sinqertë, dhe me prirjen për të ecur përpara”.

Ministri serb këmbënguli disa herë se në bazë të marrëdhënieve mes dy vendeve duhet të jenë pikat e përbashkëta që ekzistojnë mes palëve

“Ne si qeveri e re e Serbisë jemi të vendosur, me presidentin Nikoliq në krye që të zhvillojmë lidhje shumë të forta me Shqipërine dhetë gjejmë në radhë të parë pika që na bashkojmë ndonëse e dimë se kemi çështje themelore për të cilat nuk përputhemi”.

Kosova është padyshim pika më e fortë e ndarjes. Ministri i jashtëm serb i mëshoi disa herë faktit se palët duhet të shohin nga e ardhmja, pavarësisht të shkuarës problematike

“Rëndësi ka që qeveria e Serbisë ka vendosur që të futet në nivelin më të lartë në bisedimet me përfaqësuesit e Prishtinës. Ne kemi treguar vullnet të mirë për këtë”

Ministri shqiptar Panariti ishte më i drejtpërdrejtë në qëndrimet e bëra publike.

“Si fund të këtij procesi të dialogut, ne do të mirëprisnim njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Serbisë. Kjo, do të ishte pa dyshim edhe një tregues i qartë dhe një vullnet i shkëputjes nga e kaluara, e dhunës, e represionit dhe gjenocidit nga rregjimi i Millosheviqit dhe kjo do t’i shërbente që të dy vendet të projektoheshin qartë drejt së ardhmes së tyre të përbashkët evropiane”.

Zoti Panariti ngriti me forcë edhte cështjen e shqiptarëve të luginës së Preshevës.

“Përmirësimi i gjendjes ekonomike, plotësimi i kërkesave për arsimim, informim, përfshirje të këtij komuniteti në proceset vendimmarrëse dhe një mbështetje më e madhe financiare nga shteti serb, është ajo që ne presim. Natyrisht kërkova që autoritete serbe të ndërpresin dhe të ndahen nga aktet e dhunës ndaj këtij komuniteti”

Vizita e sotme e ministrit të jashtëm serb, është e para pas tetë vitesh, që kur në 2004 ministri i atëhershëm Vuk Drashkoviq do të vinte në Tiranë.

Kjo vizitë u kundërshtua nga aktivistët e Aleancës Kuqezi të cilët ashtu si dhe dje në mbërritjen në aeroport të ministrit Mrkiq, edhe sot protestuan para ministrisë së jashtme duke detyruan protokollin të përdorte hyrjen e pasme për kalimin e automjetit që shoqëronte ministrin serb.

* Ky material u transmetua fillimisht në VOA
XS
SM
MD
LG