Ndërlidhjet

Sejdiu: Qasje irracionale e të gjitha qeverive të Serbisë


Fatmir Sejdiu, foto arkiv
Fatmir Sejdiu, foto arkiv

"Deri tash nuk shoh ndonjë ndërrim të kursit, apo busullës orientuese se çfarë duhet të ketë ky vend, flas edhe për fatin e vetvetes. Fatkeqësisht të gjitha qeverive të Serbisë, që nga koha e Milloshevqit e deri më tash, nuk iu ka munguar kjo qasje irracionale, apo tip i retorikës", tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.


RADIO EVROPA E LIRË
Zot Sejdiu, të premten u zhvillua takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Takimi mori mbështetje, por edhe u kritikua. Si e vlerësoni ju nisjen e takimeve të tilla të nivelit të lartë me Serbinë?


FATMIR SEJDIU
Unë them se kontaktet apo takimet kur prezantohen shtetet sovrane gjithmonë kanë qenë një qasje pragmatike, apo praktike, që mund të ndihmojnë në relaksimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, andaj edhe këtë takim e shikoj në atë prizëm. Nuk dua që të kuptohet se kjo do të shënonte hyrjen në ndonjë proces që do të cenonte sovranitetin e Kosovës, apo bisedime të tipit të tillë që do të prishnin rendin kushtetues.

Por, më shumë e shoh si një qasje që mund të jetë në vazhdën e përpjekjeve për të përmbyllur një cikël të bisedimeve me temat që janë biseduar kohëve të fundit, apo temave teknike dhe natyrisht për t’u marrë vesh në këtë drejtim për një vizion të ri të bashkëpunimit mes dy shteteve. Andaj nuk shoh diçka tjetër, që mund të kuptohej si trembje e madhe në drejtim të krijimit të panikës nga qytetarët e Kosovës apo rrafshe tjera, që do të nënkuptonin apo paragjykonin tematika që mund të konsiderohen si ogurë për ecjen e mëtejme të Kosovës.

Por, gjithmonë them paralelisht se për përfaqësuesit e Kosovës pavarësisht rangut të takimit, apo sikur ky lloj i takimit, duhet të kenë kujdes të veçantë të prezantimit të dinjitetshëm të asaj që Kosova ka arritur dhe që Kosova e ka të shkruar në aktet më të larta, në Kushtetutë dhe duke pasur parasysh se ajo që është arritur ka qenë një kontribut jo vetëm i një gjenerate, por i shumë gjeneratave, që kanë dhënë veten për Kosovën. Dhe praktikisht është në mandatin e institucioneve të vendit në këtë kohë, që atë besim të qytetareve, ta realizojnë për një dobi të përgjithshme dhe ajo nënkupton edhe për jetën me të mirë të qytetarëve edhe në relacionet mes dy shteteve fqinje.

RADIO EVROPA E LIRË
Folët për relaksim raportesh, ndërkohë, që edhe zyrtarët kanë thënë se takimet kanë për synim normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Por, sa mund të flitet për normalizim, kur liderët e Serbisë, vazhdojnë me retorikën nacionaliste. Kryeministri Daçiq bën thirrje të hapur për ndarje të Kosovës?

FATMIR SEJDIU
Këto janë probleme që kanë përcjellë këtë raport, apo raportet mes nesh dhe Serbisë. Është një qasje joparimore, që Serbia e ka nxitur dhe udhëhequr që nga fillimi, edhe në negociatat në Vjenë, edhe të periudhave të mëvonshme. Deri tash nuk shoh ndonjë ndërrim të kursit, apo busullës orientuese se çfarë duhet të ketë ky vend, flas edhe për fatin e vetvetes. Fatkeqësisht të gjitha qeverive të Serbisë, që nga koha e Milloshevqit e deri më tash, nuk iu ka munguar kjo qasje irracionale, apo tip i retorikës.

Dikush mund të ketë menduar se është bërë për pazar të brendshëm, për kalkulime me votuesit e tyre. Por, del diçka tjetër, se edhe qeveritë që kanë shkuar, kanë shpenzuar mandatet e tyre me të njëjtën qasje dhe e cila në fakt ka krijuar tensione të vazhdueshme në relacionet mes dy vendeve dhe paralelisht mund te them se nuk është një qasje që do të ishte në të mirën e vetë qytetarëve serbë.

Kjo e stagnon Serbinë në procese dhe unë dua të besoj në miqtë e Kosovës, që kanë qenë pranë nesh, që kanë shtyrë proceset pozitivisht, dhe mendoj se ndaj kësaj qasje, duhet të ketë një përgjigje më këmbëngulëse, posaçërisht një trysni që udhet të bëhet nga vendet e BE-së, por them, edhe nga aleati ynë i gjithmonshëm, SHBA-të.

Me këtë qasje, ne faktikisht shkojmë në infinit apo djerrakohë, e cila nuk sjell gjë tjetër, pos humbje të momenteve për të nxitur procese të rëndësishme integruese, por edhe për të bërë një relaks në raportet mes dy vendeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, ç’kuptim kanë negociatat kur ka një qasje të tillë?


FATMIR SEJDIU
Unë them se Kosova duhet të shprehë qëndrimin e vet, flas në kuptimin se çfarë kërkohet prej saj. Unë s’them se duhet të ketë negociata të tipit politik, që do të hyhet në çështjet e statusit të Kosovës, ato çështje kanë përfunduar me 17 Shkurtin e 2008.

Them se në çdo kohë, në çdo situatë nëse kërkohet nga qytetarët e vendit pavarësisht prej asaj që është shprehur përmes përfaqësuesve të popullit të Kosovës në ditën e 17 Shkurtit, do të ishte një përgjigje se Kosova nuk mund të jetë ndryshe.

Është Kosovë e pavarur dhe sovrane, pavarësisht problemeve objektive që ne i kemi, siç i ka çdo shtet në lindjen e tij. Dhe çdo qasje që do të gërryente apo do të ndrydhte këtë karakter dhe identitet të Kosovës, do të ishte i papranueshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, ka pasur sinjale nga Bashkimi Evropian se do të ngrihet niveli politik në këto bisedime, madje edhe pse jozyrtarisht, është përmendur edhe mundësia që veriu të shtrohet në tryezën e bisedimeve. Cili është rreziku i shkuarjes përtej pakos Ahtisari për veriun, apo ndarjes së tij?


FATMIR SEJDIU
Unë s’mund të flas për çështjet e nivelit të prezantimeve, ajo është çështje se si merret thjesht qasja e përgjithshme për të shtruar thjesht vizionin tonë, flas si Kosovë natyrisht se unë nuk jam në përgjegjësinë institucionale.

Dhe çështja e dytë, e kam thënë dhe e them gjithmonë, pakoja e Ahtisarit është një formulë që do një zbërthim të fuqishëm dhe s’mbetet në karakterin e saj, që të jetë formulë magjike dhe e pazbërthyer.

Zbërthimi i saj duhet të bëhet ndaj qytetarëve serbë, sepse besoj se ata njerëz, flas për njerëzit e zakonshëm, që përbëjnë tërësinë e një etnie, pra për aq sa janë, nuk e kanë kuptuar pakon sa duhet.

Ka një propagandë të fuqishme që është udhëhequr kundër Kosovës, që është udhëhequr për t’i irituar ata njerëz për të mos u integruar në proceset e jetës së përditshme dhe të zakonshme, por edhe politike dhe institucionale dhe si të tillë paraqiten si pjesë e pengesës së vazhdueshme, apo mund të themi paralelisht si një adut i shtrembër, që Serbia fatkeqësisht e shfrytëzon. Në anën tjetër çdo qasje tjetër që mund të jetë, dhe këtë e shohim gjithnjë si ambicie të qarqeve serbe, të qarqeve politike, të partive nacionaliste në Serbi, por edhe të qeverive serbe, se ndarja mund të jetë një opsion, unë them se ndarja mund të jetë vetëm një çështje që praktikisht shemb integritetin e Kosovës.

Pra, është e papranueshme për Kosovën, dhe së dyti, serbët asnjëherë nuk e kanë parë, ose nuk dëshirojnë ta shtrojnë ndarjen si një element që do të shkonte me reaksione zinxhirore, dhe ajo nuk do të mbetej vetëm me çështjen e Kosovës dhe pazari nuk do të bëhej pa hanxhinë, atë që Sebria dëshiron ta bëjë.

Them se është një temë mjaft e rrezikshme, që do të nxiste edhe ambientet tjera përreth të kenë reagime të natyrshme, për të gjetur secili veten e vet të bashkuar me etninë shumicë. Andaj në këtë kuadër them se duhet të kihet kujdes, aq sa kjo ofertë që është bërë me Ahtisarin është shpjeguar, unë them se si e tillë, ajo është edhe e bollshme. Prandaj, e kam thënë edhe në kohën kur kam udhëhequr bisedimet dhe kemi përfunduar me to, se Ahtisari ka qenë një çmim i paguar për pavarësinë tonë dhe në të njëtën kohë një çmim që është dhënë me zotimin, sepse njerëzit e Kosovës pavarësisht periudhave të ndryshimeve në udhëheqjen politike të vendit, janë zotuar se do ta zbatojnë. Unë këtë e quaj qasje serioze, pa marrë parasysh se kush do të jetë.

Tjetër është, se sa ne mund të shpejtojmë hapin tonë në proceset tjera për të dëshmuar seriozitetin tonë, flas për proceset integruese apo përmbushjen e kritereve që paralelisht unë them se janë punë që s’mund të ndahen nga ajo pjesë qe ne do të dëshmojmë realizimin e obligimeve të brendshme që i kemi ndaj qytetarëve tanë.

RADIO EVROPA E LIRË
Para pavarësisë, ju keni udhëhequr Ekipin e Unitetit, që zhvilloi bisedimet me Serbinë në Vjenë. Me skenën e përçarë politike në Prishtinë, marrë parasysh protestat kundër bisedimeve, që përfunduan me përplasje me policinë, sa do të jenë produktive këto bisedime?


FATMIR SEJDIU
Është e drejtë elementare e qytetarëve apo organizmave politikë që të japin reagimin e tyre. Unë them gjithmonë se ajo e drejtë nuk mund t’i mohohet askujt, por natyrisht është gjithashtu e nevojshme që secili grupëzim politik, në këtë kuadër edhe kjo pjesë të themi, këta njerëz që kanë dhënë reagimin e tyre, të kuptohen si një element që këtë reagim e japin për të pasur një qasje të thellë dhe të studiuar mirë rreth çështjes, këmbënguljes elementare që ka Kosova.

Por, paralelisht, nuk dua ta quaj vrazhdë, por në këtë kuadër rruga, demonstrimi dhe puna jashtë institucioneve, në të njëtën kohë, mund të jetë një diçka që në një a formë tjetër, mund të lë gjurmën e vet, nganjëherë edhe prekëse, të themi për momentin.

Posaçërisht, nuk është e nevojshme që të ketë ballafaqime fizike apo dhunë, qoftë nga demonstruesit, qoftë nga organet e pushtetit, por gjithçka duhet të shkojë me një rrjedhë normale, siç i ka hije një vendi demokratik.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju gjendeni në Pragë, ku keni marrë pjesë në “Forumin 2000 mbi Mediat dhe Demokracinë”, që mbledh intelektualë dhe figura të rëndësishme nga gjithë bota, rast që shihet si i mirë, për të promovuar shtetin kosovar. Në këtë kuadër si e vlerësoni pozicionin e Kosovës sot në rrafshin ndërkombëtar?


FATMIR SEJDIU
Për ne është mirë, jo pse unë jam ftuar nga ky fondacion i njohur, që lidhet me emrin e kolosit të demokracisë evropiane moderne, Vaclav Havelit, i cili ka qenë një mik i pazëvendësueshëm i shqiptarëve, dhe veçanërisht dihet fakti se Vaclav Havel ka qenë i pari që e ka pranuar presidentin Rugova në një vizitë jashtë vendit, në cilësinë e presidentit të vendit, pra në një kohë që ka qenë shumë e vështirë për ne.

Unë them se kjo kohë dhe kjo mundësi, mund të jetë po ashtu një taban i mirë për të këmbyer ide, flas edhe për njerëzit që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejta por edhe ne, që në një formë, apo tjeter nuk jemi në institucione, por jetojmë me zhvillimet politike, që të përcjellim vizionin tonë krahas asaj, që të jemi një argat plus në atë larminë e përgjithshme të angazhimeve për ta bërë një punë të mirë për Kosovën. Unë prezantova qasjen time në debatin që u zhvillua në rolin që mund ta kenë mediat për ndryshimet në një shoqëri të caktuar.

Ishte dhe një mundësi tjetër, takova shumë miq, ishte kureshtje e madhe e këtyre njerëzve të shohin se ku jemi, cili është hapi tjetër që ne mund të bëjmë më shpejt dhe natyrisht, ata që kanë përgjegjësinë institucionale, se çka të punohet më drejtpërdrejt në pjesën bilatarele me shtetet apo institucionet e caktuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Para pak kohësh, u përmbyll mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës, por, vëzhguesit thonë se Kosova ka sfida të mëdha edhe të brendshme, edhe të jashtme. Një konstatim i juaji për Kosovën e sotme…


FATMIR SEJDIU
Ai ishte një moment shumë i rëndësishëm, që ka qenë i paraparë me proceset dhe dokumentet, që kemi pasur, me pakon e Ahtisarit.

Kjo duhet të kuptohet si përgjegjësi shtesë për instituiconet e Kosovës.
Unë them se është një tapi e rivulosur rishtas me bekimin ndërkombëtar për rrugën e mirë që ka marrë Kosova, pavarësisht vështirësive të mëdha që ka.

Pas aktit të pavarësisë dhe GJND-së, unë mendoj se është etapa e tretë me peshë.
E kam thënë dhe e them se Kosova është me të vërtetë amanet i të gjithë atyre që kanë rënë për të dhe janë sakrifikuar për të.

Por, natyrisht ajo asnjëherë nuk mund të kuptohet si tapi e përhershme për t’u sjellur në mënyrë të papërgjegjshme me të, flas pa adresë konkrete, por flas për atë se çfarë duhet të bëjnë institucionet e vendit, çfarë duhet të bëjnë njerëzit e vendit të Kosovës, në mënyrë që të shpaguajnë atë borxh si gjeneratë, që e kemi, me këtë privilegj të madh, që e kemi jetuar pavarësinë e vendit.

Tani duhet një investim i drejtpërdrejtë intelektual, mendor, institucional, bashkëpunim të mire me mekanizmat e shoqërisë civile dhe bashkëpunim të mirë me faktorët ndërkombëtarë, që e kanë mbështetur Kosovën.

Ka shumë punë që nuk janë kryer, ne mendojmë se janë kryer, por nuk janë kryer, si nga pjesa jonë, por ka edhe shumë punë që janë pjesë e borxhit ndërkombëtar që të kryhen në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Konsideroni se ka sjellje të papërgjegjshme?


FATMIR SEJDIU
Une them se duhet bërë me punë dhe angazhim ditën aq sa është, 24 orë, punë pa u ndalur.

XS
SM
MD
LG