Ndërlidhjet

Maqedoni: Të mos keqpërdoret raporti i Bankës Botërore


Ilustrim

Ilustrim

Prezantimi i raportit të Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”, si një e arritur e madhe për Maqedoninë, nga njohësit e zhvillimeve të ekonomisë është vlerësuar si manipulim i opinionit me këtë raport, i cili, Maqedoninë e radhitë në vendin 23-të, nga gjithsej 183 vende të botës sa janë përfshirë në të.

Gjatë prezantimit të raportit, ministri i Financave, Zoran Stavrevski tha se me radhitjen përkrahë vendeve si Gjermania dhe Japonia, “Maqedonia është evidente se ka arritur standardet e këtyre shteteve në bërjen e biznesit”.

Duke komentuar pohimet e këtilla dhe ato se Maqedonia po zhvillohet ekonomikisht dhe se po rritet numri i investitorëve të jashtëm, Izet Zeqiri, profesor i ekonomisë në Universitetin e Tetovës, thotë se është e vërtetë se vendi ka rregullativë të mirë ligjore për bërjen e biznesit, por gjithashtu është e vërtetë se bizneset e huaja mungojnë, në radhë të parë, për shkak të moszbatimin të praktikë që ligjeve të miratuara.

Vendin që ka zërë Maqedonia në bërjen e biznesit nuk duhet të keqpërdoret pasi raporti i dedikohet vetëm se reformave. Pa zbatimin e tyre adekuat nuk mundet që të lavdërohesh vetëm me miratimin e normave juridike dhe me ndryshime populiste pasi për biznes duhet të krijohen kushte dhe lehtësira tjera ekonomike që të mund të flitet për mbështetjen e tij në Maqedoni”, thotë Izet Zeqiri, profesor i ekonomisë dhe deputet e Rilindjes Demokratike Kombëtare, të opozitës.

Edhe profesori i ekonomisë në Universitetin e Shkupit, Zoran Ivanovski, thotë se nuk duhet keqpërdorur apo të interpretohet ndryshe raporti i Bankës Botërore pasi të gjithë treguesit flasin se gjendja nuk është edhe aq e volitshme.

Te kompanitë vendore kjo nuk do të ketë ndonjë ndikim të veçantë, pasi ato ende përballen me probleme të ndryshme administrative në bërjen e biznesit. Me probleme të këtilla nuk përballet vetëm sektori i biznesit vendor, por edhe ai i huaj pasi kur bisedon me ta ngriten shumë çështje dhe probleme lidhur me raportet e tyre me shtetin, e që kryesisht kanë të bëjnë me shërbimet që ata duhet të marrin”, thotë profesori Ivanovski.

Ai ngrit edhe shqetësimin e rënies së vazhdueshme të prodhimtarisë industriale, që, sipas tij hap dilemën, nëse qeveria me politikat e saj monetare dhe të biznesit i përgjigjet si duhet kërkesave të tyre.

Nga ana tjetër, Izet Zeqiri, thotë se pretendimet e qeverisë nuk mbajnë edhe për shkak të shumë faktorëve të tjerë përfshirë bllokimin e llogarive bankare të mijëra firmave vendore, pastaj të varfërisë në rritje dhe shkallës së lartë të papunësisë.

Është e vështirë që në këto kushte të zhvillohet biznes duke u nisur nga norma e papunësisë, nga shkalla e lartë e varfërisë, nga rënia e fuqisë blerëse të konsumatorëve. është vështirë që në këto kushte politike të zhvillohet biznes kur nuk kemi stabilitet të qeverisë, kur reformat e qeverisë nuk shkojnë në përkrahje të biznesit, por, në përkrahje vetëm të disa kompanive të afërta me pushtetin”, thotë Zeqiri.

Ndryshe, raporti i Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”, kryesisht i dedikohet procedurave administrative dhe shërbimeve që duhet t'ju ofrohen kompanive të huaja për nisjen e biznesit.

Maqedonia në raportin e këtij viti ndodhet në vendin e 23-të apo një pozitë më poshtë se raporti i vitit të kaluar.

Përmirësime janë shënuar në mbrojtjen e investitorëve të jashtëm ndërsa sa i përket indikatorit që ka të bëjë me fillimin e biznesit ajo ndodhet në pozitën e pestë.
XS
SM
MD
LG