Ndërlidhjet

AI dënon “dhunën e tepruar” kundër Vetëvendosjes


Pamje nga sheshi Nëna Terezë në Prishtinë, 22 tetor
Pamje nga sheshi Nëna Terezë në Prishtinë, 22 tetor
Organizata Amnesty International ka dënuar atë që e ka cilësuar si përdorim të tepruar të forcës nga Policia e Kosovës në protestën që është mbajtur të hënën nga Lëvizja Vetëvendosje.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut u ka bërë thirrje autoriteteve që të kryejnë “hetime të plota, efektive dhe të paanshme” të akuzave që rëndojnë mbi disa policë kosovarë.

“Nëse ekzistojnë prova të mjaftueshme se policët e Kosovës kanë përdorur forcë të tepruar, e cila mund të cilësohet si torturë apo keqtrajtim, ata duhet të jenë subjekte të procedimeve disiplinore apo edhe penale”, thuhet në deklaratën e Amnesty International.

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar protestën, në kundërshtim të takimit që ka zhvilluar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, të premten e kaluar në Bruksel.

Amnesty International ka shprehur shqetësim të veçantë për gjendjen e një shtetaseje gjermane, e cila ka qenë soditëse e protestës dhe mbetet në gjendje kome në spitalin e Prishtinës.

Rrethanat e sakta, në të cilat ajo ka pësuar, mbeten të paqarta, vlerëson Amnesty International.

Organizata po ashtu kujton se mbi 60 persona janë arrestuar gjatë së njëjtës protestë. Duke u thirrur në dëshminë e njërit prej tyre, AI thotë se të arrestuarit kanë përfshirë kalimtarë të rastit, disa nga ta të moshuar, “të cilët janë kapur pasi kanë pyetur policët se çfarë janë duke bërë”.

Kjo nuk është hera e parë që organizata në fjalë reagon kundër dhunës së përdorur ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes.

Në vitin 2011, kujton AI, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës ka lëshuar një raport për vizitën e tij në Kosovë, në qershor të 2010-ës, i cili ka nxjerrë në pah shqetësimet për keqtrajtime të pjesëtareve të Vetëvendosjes gjatë arrestimit të tyre.(v.t.)
XS
SM
MD
LG