Ndërlidhjet

Hague: Të ketë përparim në krejt fazat e bisedimeve


William Hague
William Hague
Sekretari i jashtëm britanik, William Hague, theksoi të enjten në Prishtinë rëndësinë për arritjen e përparimit në të gjitha fazat e bisedimeve drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë, por theksoi se dialogu nuk duhet të jetë i pafund.

Ai tha se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, ndërsa shprehu mbështetjen e Britanisë së Madhe për iniciativën e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, lidhur me marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Pa dashur të komentojë nëse qëllimi përfundimtar i këtyre bisedimeve do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, Hague tha se duhet bërë përparim në të gjitha fazat e këtij procesi.

“Është me rëndësi që të bëhet një lloj përparimi i vazhdueshëm në të gjitha fazat dhe që të vazhdojë puna. Duhet bërë përparim në të gjitha fazat. Në fazën e parë baronesha Ashton do të identifikojë fushat që do të kërkojnë interesin e të dyja palëve”, u shpreh Hague.

Bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre nisën të premten me takimin e ndërmjetësuar nga Ashton në mes të kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi.

Duke folur për procesin që pritet të pasojë këtë takim, Thaçi tha se “ka kaluar koha e konflikteve në rajon ndërsa është hapur koha e integrimeve euro-atlantike”.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë do të jetë në interesin e të gjithë popujve në rajon.

“Kosova është gati për të vazhduar këtë proces. Është ndërtuar një konsensus i gjerë politik shumë-partiak e gjithë-etnik. Është me rëndësi që bota demokratike dhe BE-ja është mbështetës për iniciativat e baroneshës Ashton”, u shpreh ai.

Megjithatë, as Thaçi nuk dha afat për mundësinë kur Serbia do ta njihte shtetësinë e Kosovës.

“Duhet të jemi realistë. Nuk duhet të presim që Serbia ta njeh Kosovën në ditët javët apo muajt e ardhshëm. Por, presim sjelljen evropiane të Serbisë në raport me Kosovën...”, u shpreh ai.

Serbia vazhdon të kundërshtojë fuqishëm mundësinë për njohjen e Kosovës, ndërsa ka theksuar se qëllimi i bisedimeve me palën kosovare do të jetë normalizimi i raporteve drejt integrimit në BE.

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovës i është vënë Beogradit si parakusht për marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.
XS
SM
MD
LG