Ndërlidhjet

SHBA: Përgënjeshtrohen akuzat e Rusisë


Pamje nga Alepo, Siri
Pamje nga Alepo, Siri
Shtetet e Bashkuara i kanë përgënjeshtruar akuzat e Rusisë së i kanë furnizuar kryengritësit në Siri me hedhës dore të raketave tokë – ajër, të njohur me emrin Stinger. Këta hedhës të raketave, që mund të përdoren vetëm nga një njeri duke e mbajtur në sup, kanë kapacitet që t’i rrëzojnë helikopterët dhe aeroplanët.

Sekretari i mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Leon Paneta, tha se nuk është i vetëdijshëm se ndonjë Stinger është dërguar në Siri për kryengritësit e atjeshëm.

Zëdhënësja e Departamentit të shtetit, Victoria Nuland, tha se Shtetet e Bashkuara nuk i kanë furnizuar kryengritësit në Siri me kurrfarë armatimesh. Ajo ka kërkuar që Rusia të paraqesë prova se kryengritësit janë të pajisur me Stinger.

Këto komente u bënë pasi shefi i shtamadhorisë së ushtrisë së Rusisë, Nikolai Makarov, tha se Moska “ka informacione se kryengritësit, që po luftojnë kundër ushtrisë së Sirisë, kanë raketa-lansues të dorës tokë-ajër, nga disa vende, përfshirë edhe Stingerët e prodhuar në Shtetet e Bashkuara”.

Ai theksoi se nuk është e qartë se kush i ka furnizuar kryengritësit me këta raketahedhës.

"Prej zhvillimeve të tjera, veçojmë edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Sirinë, në të cilën është miratuar deklarata, ku i bëhet thirrje qeverisë së Sirisë dhe grupeve të kryengritësve që ta pranojnë armëpushimin katër ditësh".

I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, Lakhdar Brahimi, kishte propozuar që të dy palët t’i ulin armët gjatë festës myslimane të Bajramit.

Në të kaluarën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka qenë tejet i përçarë lidhur me Sirinë, por në deklaratën e miratuar unanimisht, të 15 anëtarët kanë bërë thirrje për të gjitha palët, që të punojnë drejt një “armëpushimi të qëndrueshëm të dhunës”.

Deklaratën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, para gazetarëve, e ka lexuar kryesuesi aktual Gert Rosenthal, ambasador i Guatemalës.

"Anëtarët e Këshillit të Sigurimit u bëjnë thirrje të gjitha palëve, veçanërisht qeverisë së Republikës Arabe të Sirisë, si palë më e fuqishme, të përgjigjet pozitivisht ndaj nismës së të dërguarit special të përbashkët. Anëtarët e kanë përsëritur ftesën për autoritetet e Sirisë, që menjëherë të lejojnë qasje të plotë dhe të papenguar të personelit humanitar për të gjithë njerëzit, që kanë nevojë për ndihmë", tha Gert Rosenthal, ambasador i Guatemalës.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin, tha se Moska, aleat i regjimit të Sirisë, ka marrë “indikacione” për përgjigjje pozitive nga Damasku.

"Ne kemi indikacione se ata e pranojnë propozimin e zotit Brahimi. Besojmë se kjo mund të ndodhë të enjten", tha Çurkin. (f. b.)
XS
SM
MD
LG