Ndërlidhjet

Komisioni hetues i OKB-së do të takojë Assadin


Paulo Pinheiro dhe Carla del Ponte
Paulo Pinheiro dhe Carla del Ponte
Ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, tani anëtare e komisionit hetues të OKB-së për krimet në Siri, ka thënë se është e sigurt se në shtetin sirian kanë ndodhur krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Komisioni i OKB-së është duke grumbulluar dëshmi dhe fakte për mizoritë e kryera nga forcat qeveritare siriane dhe luftëtarët rebelë gjatë konfliktit 19 muajsh.

Kreu i komisionit, eksperti Paulo Pinheiro, u ka thënë gazetarëve në Gjenevë se ekipi i tij do të kërkojë takim me presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, për të hetuar akuzat për krime lufte.

“Ne nuk jemi tribunal, nuk jemi organ i ndjekjes penale. Ne ndërtojmë prova për iniciativat e ardhshme gjyqësore, për të bërë përgjegjës autorët e dhunës”, ka thënë Pinheiro.

Pinheiro ka vizituar Damaskun në qershor për bisedime me zyrtarët sirianë, por hetuesve të Kombeve të Bashkuara për krime lufte u është ndaluar hyrja në Siri prejse është formuar komisioni i OKB-së, një vit më parë.
XS
SM
MD
LG