Ndërlidhjet

Maqedoni: Opozitë më e fortë kundër Qeverisë


Pamje në Shkup gjatë fushatës elektorale (Foto nga arkivi)
Pamje në Shkup gjatë fushatës elektorale (Foto nga arkivi)
Rigrupimi i thuajse të gjitha partive opozitare maqedonase në një front të përbashkët kundër Qeverisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, shihet si zhvillim nga njohësi i rrethanave politike, Jovan Kekenovski. Ai thotë se edhe më parë në Maqedoni, partitë kanë bërë koalicione pavarësisht ideologjisë së tyre të majtë apo të djathtë.

“Ne kemi qenë edhe më parë dëshmitarë se te partitë politike nuk ka ideologji, thjesht bëhet fjalë për luftë për pushtet, luftë për të ardhur apo për të mbetur në pushtet , pra këtu dominon pragmatizmi, ndërsa ideologjia është një çështje e harruar".

"Ky grupim i forcave me orientime krejt të ndryshme mund edhe të japë rezultate në zgjedhjet e ardhshme, pasi qytetarët kur shkojnë për të votuar, dëshirojnë që vota e tyre të mos humbet. Bashkim i këtillë mund të ketë edhe efekte psikologjike te votuesit për të votuar grupimin më të madh politik”,
thotë Kekenovski.

Por, ndryshe nga ai vlerëson analisti Alajdin Demiri. Ai nuk pret që koalicioni i promovuar ditë më parë nga ish-presidenti dhe lider i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, do të arrijë të sfidojë kryeministrin Gruevski për shkak të, siç shprehet, mungesës së idesë për arritjen e këtij qëllimi.

“Ky grupim nuk ka asnjë kapacitet të lidhjeve më të forta që të bëhet një opozitë e fuqishme, për arsye se gjërat janë të ndryshme, pozitat janë të ndryshme dhe vetëm dëshira është një, dëshira është që të rrënohet Grevski”.

“Mirëpo, me këtë strukturë të këtillë, kushtimisht thënë, të arnuar, nuk mund të rrënohet Gruevski për arsye se këto parti politike dhe këta liderë nuk janë unik mes vete, nuk kanë platformë të përbashkët, nuk kanë ide të përbashkët dhe si duket nuk kanë qëllime të përbashkëta”
, thotë Demiri.

Ai shton se një koalicion i fortë opozitar, mund të jetë vetëm në rast se formohet nga partitë e etniteteve të ndryshme, në radhë të parë mes partive maqedonase dhe atyre shqiptare.

Por, Demiri nuk beson se një koalicion i tillë do të ishte ai mes LSDM-së dhe PDSH-së, të cilët, kohë më parë kanë vendosur bashkëpunim për zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Ishte lëvizje e dy liderëve, të cilët ishin në armiqësi dhe deshën të bëjnë një pakt, mirëpo ai pakt është i dobët për arsye se nuk bëhet mbi një platformë, por bëhet vetëm si pajtim i dy njerëzve, të cilët dëshirojnë të amnistojnë njëri-tjetrin për punët e ndyra që i kanë bërë, prandaj ky koalicion edhe nuk vazhdojë të jetojë, e as që do të mund të jetojë me këta dy liderë”, shprehet Demiri.

Ndryshe, koalicioni i partive politike opozitare maqedonase i promovuar ditë më parë, përbëhet nga parti të ekstremit të djathtë, partitë e qendrës dhe parti të majta.

Liderët e tyre, ish-kryeministrat Branko Cërvenkovski dhe Lubço Georgievski, që tani drejtojnë LSDM-në dhe VMRO-në Partinë Popullore, si dhe drejtuesit e Partisë Liberale Demokrate, të partisë së ish-ministrit të Brendshëm, Lube Boshkovski, që po mbahet në burg dhe të shoqatave të ish-mbrojtësve maqedonas nga viti 2001, deklaruan se politikat shkatërruese të Gruevskit kanë çuar në bashkimin e tyre në koalicionin, “Për të ardhmen e Maqedonisë”.
XS
SM
MD
LG