Ndërlidhjet

logo-print

Festa e Kurban Bajramit me mesazhe të paqes dhe solidaritetit


Prishtinë - foto arkivi

Prishtinë - foto arkivi

Mijëra besimtarë myslimanë në xhamitë e Kosovës, të premten e kanë kryer faljen e Kurban Bajramit.

Manifestimi qendror i organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka dërguar mesazhin e kësaj feste për të gjithë qytetarët e vendit. Ai u ka bërë apel të gjithë qytetarëve për solidaritet, paqe dhe tolerancë.

Sot, në këtë ditë feste e gëzimi, thërras të gjithë besimtarët që në zemrën dhe shpirtin e tij të shndritë besimi i sinqertë, besim i cili motivon dhe fuqizon zemrat tona që të jemi edhe më solidarë, më human, më mëshirues dhe tolerant. Të lëmë urrejtjen dhe armiqësinë. Të motivohemi për buzëqeshje e përqafime vëllazërore. Çdo festë e jona ka urtinë edhe porosinë e vet. Por, porosia e Kurban Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e bujarisë, solidaritetit, barazisë, flijimit dhe sakrificës”, tha myftiu Tërnava.

Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Tërnava u ka uruar festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve mysliman të të gjitha trojeve ku jetojnë shqiptarët, si dhe në mërgatë.

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një komunikate, e ka uruar udhëheqjen e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të gjithë besimtarët myslimanë.

Le të shërbejë kjo festë si rast për t’ua zgjatur dorën e ndihmës e të kujdesit të gjithë atyre që kanë nevojë. Në ndihmën dhe solidaritetin me të tjerët është edhe madhështia e kësaj feste”, thuhet pos tjerash në urimin e Jahjagës.

Selinë e Bashkësinë Islame të Kosovës, të premten e kanë vizituar përfaqësues të institucioneve të vendit dhe partive politike, si dhe institucioneve tjera.

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi, ka uruar Bashkësinë Islame të Kosovës dhe gjithë besimtarët myslimanë të vendit, që të kenë paqe, mirëqenie dhe begati.

Ne ishim sot dhe është mirë që është bërë një ardhje tradicionale për festat e Bajramit, për t’i uruar myftiut të Kosovës, Bashkësisë Islame dhe gjithë myslimanëve të Kosovës, urimet për këtë festë, që në familjet tona, në familjet e gjithë qytetarëve të Kosovës, të ketë paqe, mirëqenie, begati dhe të ketë siguri për të ardhmen”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vizituar Bashkësinë Islame dhe ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit, duke rikujtuar sakrificën e popullit të Kosovës, por edhe tolerancën ndërfetare në vend.

Kosova është shembull i tolerancës ndërfetare, shembull i zhvillimit të besimit, i respektit të ndërsjellë. Edhe sot, në këtë ditë, kujtojmë të kaluarën tonë të ndritshme dhe krenare, kujtojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, kujtojmë sakrificën e qytetarëve të Kosovës, të gjithëve, për liri. Natyrisht, gjithmonë duke marrë energji për të ardhmen. Kështu që, uroj të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë ditë të sakrificës, të mirëkuptimit dhe solidaritetit. Urime të gjithëve”.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi , pas vizitës në Bashkësinë Islame, gjithashtu i ka uruar besimtarët myslimanë të vendit, për festën e Kurban Bajramit.

Kjo le të jetë dita që i bashkon të gjithë shqiptarët, kudo që janë, në misionin e tyre për të qenë në paqe, në mirëqenie dhe në zhvillim, për të pasur një harmoni dhe të tregojmë se jemi një komb që ka fuqi në gjithë botën”.

Për të uruar besimtarët myslimanë të vendit, Bashkësinë Islame të Kosovës e ka vizituar edhe ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.

Sot jam këtu, në Bashkësinë Islame, që zotit Tërnava, kryemyftiut të Kosovës, por edhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij, t’iu uroj Festën e Bajramit, gjithë popullit shqiptarë që e ka besimin Islam dhe të gjithë njerëzve që sot festojnë, sepse ne të gjithë sot festojmë. Kur vëllezërit festojnë, festojmë të gjithë, pa marrë parasysh nëse ka festë njëri apo tjetri”, tha Don Gjergji.

Edhe myftiu Tërnava, por edhe ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji, kanë theksuar se festat e sivjetme të qytetarëve të besimeve të ndryshme në Kosovë, janë më të gëzueshme, për faktin se këtë vit shënohet edhe 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë.

Festa e Kurban Bajramit, nga besimtarët myslimanë, të premten shënohet në të gjithë Kosovën.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG