Ndërlidhjet

Opozita: Shkelet armëpushimi në Siri

  • RFE /RL

Kryengristësit sirianë

Kryengristësit sirianë

Grupet opozitare në Siri thonë se armëpushimi i së premtes është shkelur vetëm disa orë pasi ka hyrë në fuqi.

Agjencia e lajmeve DPA ka raportuar për luftime të ashpra në mes të forcave qeveritare dhe kryengritësve në provincën veriore të Idlibit.

Duke cituar Observatorin Sirian për të Drejtat e Njeriut, Reuters ka thënë se kryengritësit janë përpjekur që të sulmojnë një bazë ushtarake, më pak se një kilometër nga autostrada që lidh Damaskun me Alepon.

Raportohet se forcat e presidentit Bashar al Asad kanë gjuajtur me armë artilerie në një fshat të afërt me bazën.

Armëpushimi ndërmjet forcave qeveritare të Sirisë dhe kryengritësve rebelë ka hyrë në fuqi sot dhe është dashur të zgjasë gjatë katër ditëve të Festës së Kurban Bajramit.

I dërguari ndërkombëtar për krizën, Lakhdar Brahimi, ka thënë se propozimi i tij për armëpushim mund të nisë procesin e fundit të konfliktit 19-muajsh, në të cilin kanë humbur jetën dhjetëra mijëra njerëz.

Televizioni shtetëror i Sirisë ka treguar sot presidentin Bashar al-Assad duke falur Bajramin në një xhami të paidentifikuar të Damaskut. Në predikimin e tij, imami i xhamisë u ka bërë thirrje sirianëve “të ndalojnë grindjet, pasi të gjithë janë vëllezër”.

Ushtria siriane ka njoftuar më herët se do t’i përmbahet armëpushimit, por ka thënë se rezervon të drejtën për t’u përgjigjur ndaj çdo sulmi të rebelëve apo hapi që përforcon armiqtë e armatosur të presidentit Assad.

Armëpushimit kanë thënë se do t’i përmbahen edhe rebelët, të cilët nga Assadi kanë kërkuar që t’i lirojë të burgosurit politikë.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka përshëndetur zotimin përmes zëdhënësit të tij, Martin Nesirky.

Sekretari i përgjithshëm mirëpret njoftimin për pezullim të dhunës gjatë Festës së Bajramit. Është në interesin e të gjithëve që armët të heshtin gjatë Bajramit”, ka thënë Nesirky.

Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara ka thënë se është e gatshme të dërgojë ndihma emergjente për mijëra familje në zonat e trazuara të Sirisë, nëse armëpushimi mbahet.

Rusia e ka cilësuar armëpushimin si “jashtëzakonisht të rëndësishëm”. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Alexander Lukashevich, ka thënë se plani i hap derën zgjidhjes politike të konfliktit.

Shtetet e Bashkuara, në anën tjetër, janë shprehur skeptike për armëpushimin, duke thënë se regjimi sirian nuk ka dëshmuar se zbaton marrëveshjet.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Victoria Nuland, ka thënë se çdo ditë pa dhunë në Siri, mund të konsiderohet si përparim.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka mbështetur propozimin e Brahimit, por ka qenë i bllokuar nga ndërmarrja e veprimeve më të fuqishme për t’i dhënë fund konfliktit.

Kina dhe Rusia u kanë vënë veto rezolutave që bënin thirrje për masa më të ashpra kundër Assadit.

Kryengritja kundër Qeverisë së Assadit ka nisur në mars të vitit 2011. Aktivistët thonë se më shumë se 35,000 njerëz janë vrarë në trazira.(v.t.)
XS
SM
MD
LG