Ndërlidhjet

logo-print

Në nëntor, rezervat e para shtetërore


Përpunimi grurit

Përpunimi grurit

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur se deri në nëntor të këtij viti, Kosova do t’i ketë rezervat e para shtetërore.

Ata thonë se janë bërë të gjitha specifikat për produktet, të cilat duhet të ekzistojnë në rezervat shtetërore.

Zëdhënësja në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në fillim të muajit nëntor përfundojnë procedurat e prokurimit dhe Kosova do ta ketë produktin e parë në rezervat shtetërore, që do të jetë gruri.

“Në këtë vit do të kemi produktin e parë në rezervat shtetërore, i cili do të jetë gruri, e që do të jetë në shumë prej 1100 ton grurë të grumbulluar gjatë këtij viti. Ndërsa, gjatë vitit të ardhshëm, do të vazhdojmë me rritjen e produkteve tjera, agro-produkteve, siç janë vaji, sheqeri, kripa, si dhe nafta dhe derivatet e naftës”, thotë Istrefi.

Rezervat shtetërore të mallrave, sipas Ligjit për rezerva në Kosovë, krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë, në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake në gjendje lufte, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, si dhe për shëndetin e popullatës

Produktet, të cilat konsiderohen si rezerva shtetërore, do të grumbullohen tek operatorët privatë, të cilët do të kontraktohen nga Qeveria. Në momentin kur nevojiten ato produkte, do të tërhiqen.

Në mungesë të rezervave shtetërore, qytetarët shumë herë nuk kanë mundur të gëzojnë mbështetjen e shtetit, në rast të fatkeqësive natyrore apo krizave të ndryshme ekonomike.

Ndërkohë, njohësit e çështjeve ekonomike, thonë se rezervat shtetërore janë shumë të domosdoshme për një vend.

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, shprehet:
Një shtet, i cili nuk ka rezerva shtetërore, në çdo moment mund të jetë në krizë dhe i varur nga shtete fqinje dhe nga prodhuesit...

“Rezervat shtetërore janë shumë të domosdoshme për shtetin. Një shtet, i cili nuk ka rezerva shtetërore, në çdo moment mund të jetë në krizë dhe i varur nga shtete fqinje dhe nga prodhuesit. Është një shprehje ushtarake se ‘ai që e ka bukën, e fiton edhe luftën’”.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se duhet pasur kujdes në përdorimin e rezervave shtetërore.

“Duhet pasur kujdes në përdorimin e rezervave shtetërore që tregu mos të çrregullohet, pasi që agjentët ekonomikë në treg e rregullojnë vetë tregun, pra në njëfarë forme tregu është vetë i rregulluar. Por, në rastet kur ka mungesë të ushqimit, për shkak të krizave të ndryshme, rezervat shtetërore janë të nevojshme”, thekson Rukiqi.

Ndryshe, sipas ekspertëve të ekonomisë, për një vend si Kosova, që është importues i 90 për qind të produkteve, rezervat shtetërore janë më së të domosdoshme, pasi që në rast të ndonjë situate të jashtëzakonshme, brenda një jave vendi mund të mbetet pa produktet elementare.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG