Ndërlidhjet

logo-print

Ndotja e ambientit: Kërkohet më shumë punë nga institucionet


Ndotja e ambientit në Obiliq

Ndotja e ambientit në Obiliq

Kosova ka një hapësirë prej 11 mijë kilometrash katrorë dhe njihet si vend me sipërfaqe relativisht të vogël. Me gjithë hapësirën e vogël, ndotja e ambientit është shumë e madhe, thonë ekspertë të ambientit.

Profesor Zeqir Veselaj, ekspert i ambientit, deklaron për Radion Evropa e Lirë se, sa i përket përmirësimit të gjendjes së ambientit, është bërë shumë pak nga institucionet relevante.

Nëse u referohemi disa pikave, ndotjet vijnë nga sektori energjetik përmes termocentraleve të KEK-ut, nga sektori i transportit kemi një shumëfishim të automjeteve prej para luftës. Sektori industrial, cili ka prirë në zhvillimin ekonomik, ka filluar që ta rrisë presonin e vet, sidomos me riaktivizimin e impianteve më të mëdha industriale, si ‘Ferronikeli’, fabrika e çimentos, si dhe Kompleksi ‘Trepça’”.

“Ministria ka arritur ta kompletojë infrastrukturën ligjore, por mungon implementimi praktik dhe ndërhyrjet konkrete në mjedis. Kemi vendosjen e disa stacioneve monitoruese për matjen e ndotjes së ajrit, por realisht nuk varet gjithmonë te monitorimi për të ndërmarrë masa, sepse mjafton të shihet ajri mbi Prishtinë dhe të thuhet se ajri është i ndotur. Unë jam më shumë për atë që të merren masa konkrete me investime në mënyrë që të ulet ndotja”, thotë Veselaj.

Ndërkaq, Ilir Morina, kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, ka bërë të ditur se në bazë të raporteve që ata i marrin në terren, gjendja e mjedisit në disa fusha ka përmirësime dhe në disa tjera ka përkeqësime.

“Aty ku është duke u përkeqësuar gjendja janë deponitë, për shkak të të gjitha mbeturinave në ambient, dhe së bashku dhe me mospagesat për deponim, e gjithë kjo ka bërë një anarki në gjithë sistemin e mbetjeve urbane”, shprehet Morina.

Ai flet edhe për përmirësimet që, sipas tij, janë bërë nga ministria në fjalë, për mbrojtjen e ambientit:

“Sa i përket ndotjes së ajrit ka përmirësime dhe shumica e kompanive industriale kanë kërkuar leje në Ministrinë e Ambientit për lejen e integruar mjedisore dhe ne kemi për detyrë që të arrijmë deri te leja. Hap pas hapi, vjen përmirësimi i infrastrukturës së tyre direkt për parandalim të ndotjes. Fjalën e kam tek investimet që janë bërë në ‘Ferronikël’ e ‘SharrCem’, kurse KEK-u po vazhdon me vendosjen e filtrave”.

Morina gjithashtu përmend vetëdijesimin e popullatës rreth hedhjes së mbeturinave, një çështje kjo që, sipas tij, mbetet për t’u diskutuar.

“Çështja e edukatës së popullatës dhe hedhja e mbeturinave vend e pavend, është një problem shumë i madh dhe vetëdijesimi i popullatës nuk është duke përparuar. Kemi shumë persona që bëjnë vepra penale, sepse hedhin mbeturina në rrugë dhe të gjitha këto probleme janë duke u evidentuar dhe do të paraqiten në strategjinë e re të mjedisit, me projekte të veçanta dhe pastaj varet nga kapacitetet financiare dhe njerëzore sa do të realizohen”, shton Morina.

Çështja e ndotjes së ajrit në Kosovë, ka kohë që është temë debatesh nga më të ndryshmet. Edhe qytetarët mendojnë se ambienti është i ndotur dhe duhet të bëhet më shumë për ta rregulluar këtë çështje.

Ndryshe, ndotja e ambientit në Kosovë i tejkalon normat e lejuara evropiane, ndërkohë që rezultatet, të cilat i posedon Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, tregojnë se vetëm në Prishtinë këto vlera tejkalohen për 3 deri në 6 herë më shumë, sesa ato të lejuarat.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG