Ndërlidhjet

VOX

Toleranca ndëretnike nuk kultivohet


Mitrovicë

Mitrovicë

Toleranca ndëretnike ndërmjet të rinjve në mjediset ku jetojnë ata në Kosovë, ndonëse është e dëshirueshme, ende nuk është në nivelin e kënaqshëm, sidomos kur flitet për mjediset me shumicë shqiptare dhe në ato me shumicë serbe, vlerësojnë disa të rinj të të dyja këtyre bashkësive etnike.

Në rubrikën tonë të përjavshme VOX, të rinjtë shqiptarë dhe ata serbë, thonë se në të shumtën e rasteve bashkohen vetëm kur kanë ndonjë interes të përbashkët në organizimet e ndryshme që i bëjnë të huajt, ndërkohë që nismat nga vetë ata, mungojnë për diçka të tillë.



Kreshnik Mehanja, student, vlerëson se toleranca ndëretnike në Prishtinë, ekziston ndërmjet të rinjve të etnive të ndryshme, përveç në rastin kur kemi të bëjmë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe anasjelltas.

“Ma merr mendja se ka tolerancë me këto etnitetet tjera dhe nuk ka probleme, por ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve ende ekziston ajo që ishte prej pasluftës e këndej. Dihet se si janë raportet me serbë. Mbase mua nuk më pengojnë, por dikush, për shembull, mund ta ketë ndonjë familjar të vrarë dhe i pengon... kthehet dhe mund ta shajë ose të kapet me të”, thotë Kreshniku.

Edhe Erblin Gashi, nxënës i shkollës së mesme, vlerëson se jotoleranca vazhdon të mbetet e njëjtë kryesisht ndërmjet të rinjve shqiptarë dhe serbë. Raportet ndërmjet të rinjve të këtyre të dy bashkësive etnike, sipas tij, nuk mund të quhen të mira.

“Jo edhe aq të mira. Për shembull (të rinjtë shqiptarë) e shohin ndonjë serb dhe përpiqen t’i kapen. Të dyja palët janë kështu, por janë pakicë ata që bëjnë probleme... me provokime. Njëri e provokon tjetrin dhe më pas lindin problemet”, shprehet Erblini.

Por, Rina Salihu, studente, vlerëson se toleranca ndëretnike ndërmjet të rinjve shqiptarë dhe serbë ekziston, por ajo nuk kultivohet. Sipas saj, kërkohen nisma për një gjë të tillë:

“Nuk marrin nisma, sepse po të merrte dikush një nismë, besoj që kishin për t’iu bashkangjitur edhe shumë të tjerë. Unë gjatë verës kam qenë në Amerikë me programin ‘United ëork and Travel’ dhe kemi pasur punë me serbë, me kroatë, me maqedonas. Kemi pasur një raport shumë të mirë dhe po flas duke i përgjithësuar edhe shoqërinë time. Duhet t’i respektojmë edhe pse ata janë serbë ose flasin një gjuhë tjetër, Është gjuha e tyre dhe nuk mendoj se duhet të reagohet në mënyrë të keqe ose t’i shikojmë ndryshe”.

Avdyl Bajramaj, po ashtu student, thotë se i ka rastisur që të dëgjojë në ambiente të ndryshme të rinj që flasin në gjuhën serbe, por, siç thotë ai, një gjë e tillë i është dukur normale dhe nuk e ka nxitur që të reagojë.

“Në çdo vend kam dëgjuar, por nuk më bën përshtypje, sepse mendoj që jemi një vend i lirë dhe secili duhet ta ketë të drejtën e tij. Nuk më është dukur ndonjë kiamet i madh pse ai flet serbisht ose turqisht, ose sidoqoftë. Të gjithë jemi njerëz dhe të gjithë duhet të trajtohemi si njerëz të barabartë. E ardhmja jonë është drejt Evropës dhe mendoj se kështu duhet edhe të rinjtë të shkollohen dhe të trajtohen si njerëz të barabartë”, thotë Avdyli.

Mendim të ngjashëm ka edhe studentja, Shkurta Kqiku, por, sipas saj, problemi nuk qëndron te të rinjtë, por te politika.

“Nuk më ka ardhur çudi ose të mendoj se pse këta (serbët) janë në mesin tonë ose ndonjë gjë tjetër. Për mua, nuk ekziston ndonjë problem i tillë. Unë mendoj se ka tolerancë ndëretnike. Ne ndoshta kemi probleme politike, por jo probleme ndërmjet qytetarëve dhe nuk besoj që ka probleme të tilla, sidomos ndërmjet të rinjve”, konsideron Shkurta.

Por, çfarë thonë të rinjtë serbë lidhur me tolerancën ndëretnike me bashkëmoshatarët e tyre shqiptarë. Në një mjedis me shumicë serbe siç është veriu i Mitrovicës, sipas tyre, nuk ekziston komunikim, e as tolerancë ndërmjet të rinjve serbë dhe shqiptarë.

Nevena Stankoviq, nga veriu i Mitrovicës, thotë se një komunikim eventual mund të ketë vetëm nëse kanë interesa të përbashkëta:

“Sa i përket tolerancës, ajo është e padiktueshme, sepse ata të rinj fare nuk komunikojnë ndërmjet tyre, vetëm në rast se kemi të bëjmë me ndonjë interes të dikujt. Do të thotë, nëse kemi të bëjmë me projekte, të cilat kërkojnë ndërthurjen e segmenteve shumetnike, atëherë arrijmë deri te bashkëpunimi. Natyrisht, në atë mënyrë njerëzit bashkëpunojnë dhe flasin detyrimisht në gjuhën angleze. Ky është një kompromis, të cilin e pranojnë serbët edhe shqiptarët”.

Edhe i riu Marko Llaziq, nga Kroi i Vitakut, thotë se nuk ka komunikim ndërmjet të rinjve serbë dhe atyre shqiptarë.

“Nuk ka fare, ndonëse nuk ka pasur as më herët. Do të thotë, edhe ata janë të mbyllur në vetvete, por edhe ne këtej i shikojmë punët tona. Një të ardhme nuk e shoh dhe as që mund ta planifikoj. Kjo situatë na e imponon që këtë të mos mund ta bëjmë. Jo vetëm unë, por të gjithë ne”, thotë Marko.

Ndryshe, Tatjana Vujisiq nga veriu i Mitrovicës, vlerëson se moskomunikimi dhe mostoleranca ndëretnike ndërmjet të rinjve shqiptarë dhe serbë, është mbjellë që moti dhe fajet për këtë, sipas saj, i kanë përgjithësisht të dy shoqëritë.

“Të rinjtë serbë dhe shqiptarë në masë të madhe janë të ushqyer me nacionalizëm. Unë nuk vërej se ata po shoqërohen ose bashkëpunojnë, përveç në rastin kur punojnë në organizatat joqeveritare ose në institucione ndërkombëtare. Duhet përmendur, se kriminelët shqiptarët dhe ata serbët bashkëpunojnë gjithmonë dhe këtë e kanë bërë edhe më parë”.

“Do të çuditesha shumë nëse do të shihja të rinj shqiptarë që lëvizin lirshëm në veri të Kosovës, e flasin gjuhën e tyre dhe të mos u dalin problemet. E njëjtë është situata edhe nëse unë shkoj në anën jugore të Mitrovicës ose në Prishtinë. Do të thotë,të rinjtë shqiptarë dhe serbë jetojnë pranë njëri-tjetrit, por plotësisht të pavetëdijshëm se mbase kanë interesime të përbashkëta, ngase të dyja palët janë të fiksuar me atë se cilit komb i takojnë. Kjo është tragjedi”,
shprehet Vujisiq.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG