Ndërlidhjet

Rënia e natalitetit, pasojë e standardit të dobët


Foshnje e posalindur

Foshnje e posalindur

Për rritjen e natalitetit apo shtimin e numrit të popullsisë nuk nevojiten apele nga ana e kryeministrit Nikolla Gruevski, por masa konkrete në zhvillimin e ekonomisë dhe ngritjen e standardit të qytetarëve, që janë edhe faktorët kryesorë për uljen e ndjeshme të natalitetit në vend, kështu vlerësojnë ekspertët duke komentuar alarmin e drejtuesve të institucioneve lidhur me plakjen e popullsisë në Maqedoni.

Ilija Acevski, profesor i sociologjisë, thotë se fushatat për lindjen e fëmijëve nuk do të kenë asnjë efekt, pasi në kushtet e tanishme të varfërisë së madhe është vështirë të binden të rinjtë që të krijojnë familje për shkak të drojës që mbretëron tek ata, nëse do të ketë mjete financiare për rritur fëmijë.

“Duhet të krijohen kushtet elementare për të arritur një synim të tillë. Kjo nënkupton, punësim, mbështetje për gratë që kanë lindur fëmijë dhe shumë masa tjera në sferën e politikës sociale. Të gjitha mjetet që ndahen nga buxheti, duhet të përcaktohen qartë që të mos ketë interpretime të ndryshme që do të ndikonin negativisht në politikën e rritjes së natalitetit”, thotë Acevski, duke shtuar se rënia e natalitetit është rezultat i politikave të gabuara demografike të Qeverisë.

Ngjashëm vlerëson edhe Jonuz Abdullahu, profesor i administratës publike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

“Është normale që të ketë një rënie të natalitetit për shkak të klimës, gjendjes në të cilën ndodhet popullata, ajo është në një gjendje të mjerueshme, është tepër e dëshpëruar nga jeta, nga standardi, në të cilin jeton. Të gjitha masat që ndërmerr Qeveria, janë kontraproduktive dhe ato ndikojnë negativisht te të rinjtë për të formuar familje. Qeveria së pari duhet të krijojë një klimë të mirë të sigurisë dhe më pas të ndikojë në përmirësimin e klimës ekonomike”, shprehet Abdullahu.

Sipas tij, nga një studim i realizuar është konstatuar se rënia e natalitetit më së shumti ka përfshirë popullatën maqedonase në radhë të parë, siç shprehet Abdullahu, për shkak të humbjes së privilegjeve që ka pasur nga ana e shtetit në të kaluarën.

Ndërkohë, edhe të dhënat e prezantuara nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, flasin se pjesët lindore dhe qendrore të vendit të banuara kryesisht me popullatë maqedonase përballen me rënie të madhe të natalitetit.

Ministri Spiro Ristovski thotë se në krahasim me vitin 1995 në këto zona numri i nxënësve të regjistruar në klasë të parë është ulur për 60 mijë. Sipas tij, në Maqedoni numri i lindjeve sillet në 1.4 fëmijë, ndërsa për të ruajtur nivelin e popullsisë mesatarja duhet të jetë 2.1 fëmijë që në rastin e Maqedonisë është për 35 për qind nën nivelin e duhur.

“Ne, si Qeveri, në periudhën e kaluar intensivisht kemi punuar në këtë çështje. Tani jemi duke shqyrtuar masa të reja që duhet të japin rezultate në drejtim të rritjes së natalitetit, apo të parandalimit të plakjes së popullatës pasi gjendja e tanishme është alarmante”, deklaron Ristovski.

Në këtë drejtim, ditë më parë kryeministri Nikolla Gruevski në një fjalim partiak, u kishte bërë thirrje të rinjve që të martohen dhe të lindin sa më shumë fëmijë.
XS
SM
MD
LG