Ndërlidhjet

logo-print

Prishtina dënon ashpër mesazhet e vizitës së Nikolliqit në Kumanovë


Ministri Enver Hoxhaj gjatë takimeve të kabinetit qeveritar...

Ministri Enver Hoxhaj gjatë takimeve të kabinetit qeveritar...


Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka kritikuar ashpër sjelljet e presidentit dhe lidershipit aktual serb në raport me shënimin e datave të betejave ballkanike, nga të cilat kryesisht kanë pësuar popullata shqiptare.

Në këtë rrafsh, ministri Hoxhaj i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vizita e fundit e presidentit serb Tomisllav Nikolliq në Maqedoni dhe pjesëmarrja e tij në shënimin e 100-vjetorit të betejës së Kumanovës dëshmon se ai dhe politika serbe ende është nuk kanë lëvizur nga mentaliteti i politikës së vjetër të Serbisë në raport me Kosovën dhe shqiptarët.

“Qëllimi i kësaj vizite dhe koha e realizimit bashkë me mesazhet e përcjella me këtë vizitë, padyshim që nuk i shërbejnë as paqes, stabilitetit dhe as të ardhmes evropiane të vendeve të rajonit”, ka thënë Hoxhaj.

Një vizitë e tillë dhe njëkohësisht aktivitetet që janë shënuar në Serbi për festimin e 100-vjetorit të luftërave ballkanike, sipas ministrit Hoxhaj, do të duhet të kuptohen në disa rrafshe.

“Së pari festimi i datave të betejave ballkanike që në karakter kanë qenë luftëra pushtuese e jo çlirimtare, tregojnë se në Serbi edhe më tutje ka një tendencë për kultivimin e një kujtese morbide, meqë ne e dimë që viktima të këtyre luftërave kanë qenë qytetarë të pafajshëm, gra e fëmijë shqiptarë”, ka theksuar Hoxhaj.

Së dyti, ka potencuar ai, “një kujtesë e tillë morbide mjerisht ishte përsëritur gjatë viteve 1998-’99, në të cilat lidershipi aktual serb ka pasur rol aktiv dhe vendimtar, prandaj është koha e fundit që ky lidership në vend të promovimit të kulturës së frikës e nënshtrimit, ta promovojw kulturën e shpresës, paqes e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian”.

Dhe, së fundit, ka nënvizuar ministri Hoxhaj, “pavarësia e Kosovës po dëshmon në mënyrën më të mirë të mundshme që luftërat ballkanike nuk kanë pasur kurrfarë efekti në rrjedhën e historisë”.

Kosova dhe qytetarët e saj gjatë viteve 1998-99, thekson Hoxhaj, “pa dyshim që kanë qenë fitues edhe politik, ushtarak e diplomatik, andaj popujt tanë nuk duhet t’i kujtojnë ngjarjet tragjike, por duhet t’i kultivojnë ngjarjet që i shërbejnë paqes, stabilitetit dhe mirëkuptimit mes popujve”.

Andaj, Hoxhaj i ka bërë thirrje lidershipit serb që të lënë anash historinë dhe të angazhohen për kultivimin e paqes dhe tolerancës në rajon, në mënyrë që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor të përqafojnë agjendën integruese euro-atlantike.

Paraprakisht, festimin e betejave të përgjakshme ballkanike e kanë dënuar edhe përfaqësues e historianë shqiptarë nga Maqedonia, të cilët kanë potencuar se viktima të këtyre luftërave kanë qenë kryesisht shqiptarët.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG