Ndërlidhjet

Obama: Amerikanë, kujdes nga uragani!

  • RFE /RL

Barack Obama

Barack Obama

Qindra mijëra njerëz janë duke u evakuuar derisa bregu lindor i Shteteve të Bashkuara po përgatitet për uraganin Sandy.

Uragani i kategorisë një, me erëra të fuqishme, pritet të godasë bregun të hënën në mbrëmje, ose të martën herët, dhe gjasat më të mëdha i ka New Jersey.

Ai pritet të kombinohet me një stuhi dimri, që vjen nga drejtimi i perëndimit, derisa ajri i ftohtë buron nga Arktiku.

Deri në 60 milionë njerëz mund të preken nga stuhia dhe tashmë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në Karolinën e Veriut dhe në Konektikat.

Presidenti amerikan Barak Obama u bëri thirrje amerikanëve në zonat e prekura që ta marrin seriozisht stuhinë.

Natyrisht, ne në të gjithë vendin jemi të shqetësuar rreth ndikimit të mundshëm të uraganit Sandy. Kjo është një stuhi e madhe dhe serioze dhe mesazhi im i parë për të gjithë njerëzit në bregdetin lindor, në Atlantikun e Mesëm e duke shkuar ka Veriu, është që ta marrin stuhinë me seriozitet dhe të ndjekin udhëzimet e zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë, sepse ata do të ofrojnë këshillat më të mira në lidhje me përballjen e stuhisë në ditët e ardhshme”, u shpreh Obama.

Më shumë se 300 mijë njerëz janë evakuuar nga pjesët e poshtme të Nju Jorkut.

Të hënën New York Stock Exchange dhe NASDAQ do të qëndrojnë të mbyllura.

Qyteti ka ndërprerë shërbimin e transportit nëntokësor, sikurse edhe Filadelfia.

Shërbimet hekururdhore janë ndërperë në të gjithë bregun lindor.

Mijëra fluturime vendore dhe ndërkombëtare për në SHBA-në lindore dhe jashtë saj, janë anuluar.

Sandy po udhëton në veri nga Karaibet, kur ka lënë të vdekur të paktën 66 njerëz, përfshirë 51 në Haiti, shumica nga ta si pasojë e vërshimeve dhe rrëshqitjes së dheut. (a.i.)
XS
SM
MD
LG