Ndërlidhjet

Lidhja Demokratike Kosovës nuk heq dorë nga kërkesa e saj për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet liderëve politikë, si parakusht për përmbylljen e procesit të reformave kushtetuese e zgjedhore.

Për më gjatë se një muaj, Komisioni për reformën zgjedhore është dashur që t’i procedojë Kuvendit propozimet ligjore për miratim.

Por, LDK-ja këmbëngul në qëndrimin e saj se vota e kësaj partie për këto reforma lidhet ngushtë me zbatimin e marrëveshjes së liderëve politikë për ndryshimet kushtetuese dhe reformat zgjedhore, që në fakt kishte të bënte edhe me mandatin e presidentes aktuale.

Në shënjestër të akuzave për këtë subjekt politik, mbetet Partia Demokratike e Kosovës. Konfrontimet për këtë çështje, ndërmjet partive në pushtet dhe atyre opozitare, po e lënë pezull reformën.

Haki Demolli, kryetar i Komisionit për reforma zgjedhore dhe deputet nga radhët e Lidhjes Demokratikë të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se zgjidhja e çështjes së reformave zgjedhore, do të mund të ndodhte me anë të bisedimeve dhe marrëveshjeve.

“Unë mendoj se zgjidhja do të jetë me bisedime, me negociata ndërmjet subjekteve politike, respektivisht udhëheqësve të partive politike, në mënyrë që çështja e reformës zgjedhore, por edhe çështjet e tjera që janë të parapara me rezolutë të kenë një zgjidhje të re lidhur me këto pika, në mënyrë që të vazhdohet me tutje me punë. Nuk do të thosha që LDK-ja ka bërë bllokada, por LDK-ja ka insistuar që të respektohet marrëveshja”, thotë Demolli.

Sipas marrëveshjes së vitit të kaluar ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, të ndërmjetësuar nga ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, e cila më pas ishte fuqizuar edhe me miratimin e një rezolute nga Kuvendi, përveç reformave kushtetuese e zgjedhore, vendi do të shkonte në vjeshtën e këtij viti në zgjedhjet e para presidenciale, si dhe në vjeshtën e vitit tjetër - në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se zhvillimet e fundit rreth Komisionit për reformën zgjedhore dhe bllokimet e këtij procesi tregojnë qartë se përmirësimi i sistemit zgjedhur nuk ka qenë kurrë qëllimi i partive politike më të mëdha në vend.

Albulena Haxhiu, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, lidhur me ngecjet në reformat zgjedhore, thotë:

“Qëllimi i asaj marrëveshjeje dhe rrjedhimisht Komisionit, nuk ishte përmirësimi i sistemit zgjedhor, po mbulimi i krimit masiv të vjedhjes së votës që ndodhi më 2010-n. Pikërisht kjo ka ndodhur në Komision, ku interesimi kryesor i partive politike ka qenë shpikja e mjeteve dhe metodave më perfide për rritje të elektoratit dhe jo reformë zgjedhore. Tendencat e fundit të partisë në pushtet për të vazhduar me atë që ajo e quan kinse reformë, nuk janë të pranueshme për ne”.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se procesin zgjedhor po e bllokojnë dy partitë më të mëdha politike në vend, PDK dhe LDK.

Bllokadat e tilla, thekson Burim Ramadani, deputet në Kuvend, janë të pakuptueshme dhe të papranueshme. Sipas tij, reformat duhet të ndodhin sa më shpejt, në mënyrë që Kosova në këtë drejtim të ketë një bazë të mirë për zgjedhjet e ardhshme.

“Kjo lloj bllokade që po ndodh, është më shumë se sa e pakuptimtë. Është dëmtuese për të ardhmen e funksionimit të demokracisë së vendit, për shkak se nuk mund ta vendosim demokracinë në vend, apo në rrezik për shkak të qëllimeve të caktuara politike, qofshin ato edhe më të mira të mundshme. Pra, është me rëndësi që Kodi zgjedhor të ndryshojë sa më shpejt që të jetë e mundur”, thekson Ramadani.

Qëllimi kryesor i reformave zgjedhore është që nga një zonë, të ketë më shumë zona. Reforma zgjedhore, po ashtu, është një nga pesë kriteret që Komisioni Evropian ka paraparë që Kosova duhet t’i plotësojë në kuadër të Studimit të Fizibilitetit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG