Ndërlidhjet

Takim për rritjen e sigurisë nëpër komuna


Ilustrim

Ilustrim

Në kuadër të përmbushjes së kritereve që Bashkimi Evropian ia vuri Kosovës në Studimin e Fizibilitetit për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, qeveria e Kosovës mbajti takimin e radhës me kryetarët e komunave të vendit.

Mbrojtja dhe ofrimi i sigurisë për minoritetet dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë ishte në qendër të takimit, gjatë të cilit u raportua për arritjet e deritashme dhe sfidat që ka Kosova para vetës në këtë çështje.

Interesimin e Brukselit për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në Kosovë e theksoi Përfaqësuesi special i BE-së në vend, Samuel Zbogar, duke thënë se çelës për integrimin e minoriteteve është ndërtimi i besimit tek institucionet kosovare.

“Çelës për integrimin e qëndrueshëm të shoqërisë së Kosovës është ndërtimi i besimit tek institucionet kosovare”, u shpreh ai

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se është shënuar “progres në përmirësimin e klimës ndëretnike dhe integrimin e minoriteteve”.

Megjithatë, ai tha se ekzistojnë perceptime të gabuara që flasin për ekzistimin e problemeve tek minoritetet “se nuk janë të integruar, se nuk janë të sigurt ose se nuk bashkëpunojnë me institucionet”.

“Ky është vetëm një perceptim i gabuar që i shkon për shtati vetëm Serbisë, kurse realiteti është krejtësisht tjetër”, u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar.

Në takim u raportua për punën e bërë deri më tani në krijimin e këshillave të sigurisë nëpër komuna, ndërsa u theksua rëndësia që këto këshilla të veprojnë efektshëm në krijimin e ambienteve të sigurta nëpër komuna.

Problem kryesor, sipas zyrtarëve qeveritar, mbetet veriu i Kosovës dhe veprimi i strukturave të paligjshme të Serbisë në atë pjesë.
XS
SM
MD
LG