Ndërlidhjet

Jahjaga e Thaçi ngushëllojnë presidentin Obama


Ilustrim

Ilustrim

Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi i kanë dërguar telegrame ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama për viktimat e stuhisë që ka prekur Bregun Lindor të SHBA-ve.

Në telegramin ngushëllues të presidentes Jahjaga thuhet se “me dhimbje të thellë morëm lajmin për stuhinë që ka prekur Bregun Lindor, duke vënë në rrezik sigurinë dhe jetët e miliona qytetarëve amerikanë”.

“Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe në emrin tim personal, pranoni ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve të qytetarëve tuaj dhe keqardhjen më të thellë për dëmet e shkaktuara. Mendimet dhe lutjet tona janë me popullin amerikan në këtë kohë të vështirë. Ju lutem pranoni konsideratat e mia më të larta”, thuhet në telegramin ngushëllues të Jahjagës.

Ndërkaq në telegramin e tij, kryeministri Thaçi thotë se humbja e jetëve të qytetarëve amerikanë, si pasojë e uraganit Sandy, është pritur me dhimbje nga qytetarët e Kosovës.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të qytetarëve të Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, Ju, Qeverisë së SHBA-ve, popullit amerikan dhe familjarëve të viktimave të uraganit”, shprehet Thaçi.

“Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës në këto momente të rënda për popullin dhe institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të jenë përkrah jush, duke shprehur ndjenjat më të thella të mbështetjes dhe të solidaritetit”, thuhet në telegramin e Thaçit.
XS
SM
MD
LG