Ndërlidhjet

logo-print

Clinton e Ashton mbërrijnë në Prishtinë

  • RFE /RL

Catherine Ashton dhe Hillary Clinton

Catherine Ashton dhe Hillary Clinton

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton dhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton kanë mbërritur në Prishtinë.

Në Aeroportin e Prishtinës, shefja e diplomacisë amerikane dhe ajo e diplomacisë evropiane janë pritur nga presidentja Atifete Jahjaga dhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Ndërsa të martën mbrëma përveç njoftimeve se Clinton e Ashton do të qëndrojnë në Kosovë, nuk janë dhënë shpjegime tjera nga Ambasada Amerikane dhe Zyra e BE-së, për të mërkurën, është paralajmëruar takimi i dy zyrtareve të larta ndërkombëtare me presidenten Atidete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Më pas, ato do të paraqiten edhe në një konferencë të përbashkët për media.

Sa u përket Kosovës dhe Serbisë, kjo vizitë shihet si ecje përpara në procesin e ardhshëm të bisedimeve ndërmjet dy vendeve që, sipas kërkesave ndërkombëtare, duhet të përfundojë me një proces normalizimi të raporteve ndërmjet dy vendeve.

Në Beograd, sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton ka mbështetur procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit dhe njëkohësisht ka përkrahur dialogun Beograd – Prishtinë, duke theksuar se kjo gjë nuk nënkupton se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, njofton agjencia serbe e lajmeve BETA.

“Nuk kemi ardhur këtu që të paraqesim kushte apo të ushtrojmë kontroll”, ka thënë Clinton, duke shtuar se e ardhmja e Serbisë gjendet brenda vetë këtij shteti.

Ajo i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq dhe kryeministrin serb, Ivica Daçiq, në të cilin mori pjesë edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, baronesha Catherine Ashton.

Clinton citohet të ketë thënë se dëshiron që ta shohë jetësimin e të gjitha aspiratave të Serbisë dhe të gjitha vendeve të rajonit, në rrugën e tyre drejt BE –së dhe NATO-s.

Shtetet e Bashkuara apelojnë tek të gjitha palët që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura, t’i aplikojnë masat konkrete për normalizimin e marrëdhënieve”, ka shtuar më tutje Clinton.

Ajo ka përshëndetur ngritjen e bisedimeve në nivel politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke e cilësuar si një mundësi për vazhdimin e dialogut për çështje thelbësore.

Ngjashëm është deklaruar edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

“Jemi marrë vesh që ta vazhdojmë dialogun dhe kemi planifikuar që së shpejti të takohemi sërish. Është jetike që të dyja palët në plotësi t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet”, ka thënë Ashton.

Pas takimit, edhe kryeministri serb, Ivica Daçiq ka thënë se Serbia angazhohet që të gjitha çështjet e hapura me Kosovën t’i zgjidhë përmes rrugës paqësore

Ai shtoi se pret që dialogu me Prishtinën të vazhdojë në muajin nëntor.(z.g.& v.k.)
XS
SM
MD
LG