Ndërlidhjet

SHBA: Shifra e të vdekurve arrin në 45, pritet rihapja e bursës


Pamje pas stuhisë, New York (30 tetor 2012)
Pamje pas stuhisë, New York (30 tetor 2012)

Numri i të vdekurve nga stuhia Sandy, e cila goditi të hënën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka arritur në të paktën 45 njerëz, ndërsa rreth 8 milionë shtëpi dhe biznese vazhdojnë të jenë pa rrymë.

Të paktën 18 prej të vdekurve raportohet të jenë nga Nju Jorku, një prej qyteteve të goditura më rëndë nga stuhia Sandy.

Linjat e metrove në qytetin e Nju Jorkut vazhdojnë të jenë jo funksionale, përderisa shumë aeroporte, linja hekurudhore, rrugë dhe porte mbesin të mbyllura, në rajonet e prekura nga stuhia.

Zyrtarët thonë se bursa e Nju Jorkut dhe Aeroporti Ndërkombëtar John F.Kennedy në Nju Jork pritet të hapen gjatë ditës së sotme, pasi qëndruan të mbyllura për dy ditë radhazi.

Presidenti amerikan, Barack Obama, i cili e ka shtyrë fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale, pritet t’i vizitojë sot të mbijetuarit e stuhisë në Nju Xhërsi.
XS
SM
MD
LG