Ndërlidhjet

logo-print

Clinton e Ashton kërkojnë normalizim me Serbinë pa cenuar tërësinë e Kosovës


Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton dhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, u kanë bërë sërish thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë dialogun deri në normalizimin e marrëdhënieve reciproke.

Këto komente, Clinton e Ashton i kanë bërë në Prishtinë pas takimeve që zhvilluan me presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Sekretarja e shtetit, Clinton ka thënë se gjatë takimeve në Beograd dhe Prishtinë ua ka bërë të qartë të dy lidershipeve se dialogu duhet të vazhdojë bashkë me zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura.

Clinton, megjithatë, ka bërë të qartë se dialogu nuk do të prek në asnjë formë në sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës.

“Do të jem shumë e qartë, jo vetëm këtu në Prishtinë por për të gjithë ata që na dëgjojnë e shikojnë në rajon se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës”, ka thënë Clinton.

Ajo ka theksuar se nuk do të pranohen të diskutohen çështjet që prekin në kufijtë dhe territorin e Kosovës.

Sekretarja amerikane e shtetit i ka dhënë mbështetje shtetit më të ri evropian duke e parë atë si një rrëfim suksesi.

"Nuk jam e sigurt nëse ndonjë popull ka bërë aq shumë progres në një periudhë kaq të shkurtë si Kosova”, ka thënë Clinton.


Mbështetje për integrimet euro-atlantike


Ajo ka thënë se ndodhet në Prishtinë, e shoqëruar nga shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Catherine Ashton, për të mbështetur plotësisht aspiratat e Kosovës për integrim në BE dhe NATO.

“Dialogu është esencial, ky siguron një rrugë të prosperitetit afatgjatë. Ne po punojmë bashkërisht me Bashkimin Evropian në këtë drejtim, dhe unë dua që personalisht ta përshëndes kryeministrin Thaçi, që ka marrë guximin politik për takimin me kryeministrin Daçiq në Bruksel. Ky ka qenë një veprim i guximshëm”, ka thënë Clinton, e cila në të njëjtën kohë ka përshëndetur edhe angazhimin e presidentes së vendit, Atifete Jahgaja, në procese të rëndësishme të vendit.

Clinton ka thënë se SHBA-ja u bën thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve dhe të bien dakord edhe për marrëveshje të reja, që janë të domosdoshme për progresin e të dyja vendeve.

“SHBA-ja krenohet me miqësinë me Kosovën... Të rinjtë e Kosovës meritojnë integrim të plotë në Evropë, e në do të punojmë bashkërisht në ndërtimin e një të ardhme të sigurt drejt rrugës tuaj të integrimit në BE dhe NATO. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara edhe në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës", ka theksuar ndër të tjera Clinton.

Në anën tjetër, shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ka deklaruar se Bashkimi Evropian u ka ofruar tashmë perspektivën evropiane Kosovës dhe Serbisë. Pas takimit të parë që organizoi ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daçiq, Ashton ka theksuar se do të ketë edhe takime të tjera.

”Duam t’iu bëjmë thirrje që ky dialog është për përmirësimin e kushteve të jetesës në mënyrë që qytetarët që jetojnë në veri ta ndiejnë vetën se janë pjesë e komunitetit dhe shoqërisë”, është shprehur Ashton.

“Dialogu nuk është i lehtë, për asnjërin nga kryeministrat, si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë. Ky dialog ka për qëllimin ndërtimin e një jete më të mirë për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata që janë në veri të vendit. Kjo bëhet duke biseduar hapur dhe lirshëm. Thaçi dhe Daçiqi janë treguar guximtarë për takimin e mbajtur në Bruksel”, ka thënë Ashton.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se në veri të Kosovës funksionojnë strukturat e pushtetit të Serbisë të cilat po pamundësojnë normalizimin e gjendjes atje dhe shtrirjen e autoritetit të shtetit të Kosovës.

Sidoqoftë, ai është shprehur i gatshëm të vazhdojë dialogun me Beogradin, duke ruajtur parimet bazë për mos cenimin e integritetit dhe sovranitetit të vendit.

Thaçi ka theksuar se i ka siguruar baroneshën Ashton dhe sekretaren Clinton se Kosova do t’i përmbushë të gjitha kriteret drejt realizimit të synimeve të qytetarëve të Kosovës për rrugën drejt integrimit në BE dhe në NATO.

Para se të vinin në Prishtinë, Clinton e Ashton kanë qëndruar në Sarajevë dhe më pas në Beograd.

Vizita e përbashkët e Sekretares Clinton me baroneshën Ashton, në Prishtinë shihet edhe si një garanci shtesë për opinionin dhe subjektet politike në Kosovë se Shtetet e Bashkuara janë të përfshira në procesin e ardhshëm të bisedimeve me Beogradin, në mënyrë që të zbuten pakënaqësitë dhe dilemat që ekzistojnë në prag të këtij dialogu.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG