Ndërlidhjet

Superstuhia Sandy mund të jetë ‘tetori befasues’ i zgjedhjeve


Mitt Romney dhe Barack Obama

Mitt Romney dhe Barack Obama

Vetëm një javë para zgjedhjeve presidenciale të 6 nëntorit në Shtetet e Bashkuara, ardhja e Sandyt, stuhisë masive që ka shkatërruar një pjesë të madhe të pjesës veri-lindore të SHBA-së, mund të jetë një “befasi tetori” në të cilën nuk ka llogaritur as presidenti Barack Obama dhe as kandidati republikan Mitt Romney.

Sandy e ka prishur kalendarin e fushatës edhe të Obamës edhe të Romneyt gjatë javës kryesore të fushatës. Obama ka anuluar tubimet zgjedhore në Florida, Ohajo, dhe Virxhinia të hënën dhe në Uiskonsin të marten, për t’u kthyer në Uashington me qëllim të monitorimit të stuhisë.

I pyetur se çfarë efekti mund te këtë stuhia në zgjedhje, Obama tha se fokusi i tij tani është reagimi ndaj stuhisë.

“Nuk jam i brengosur tani për tani për ndikimin në zgjedhjet (presidenciale). Jam i brengosur për ndikimin(e stuhisë) mbi familjet, ndikimin mbi ekonominë dhe transportin tonë. Zgjedhjet do të kujdesen për veten në javën e ardhshme. Tani për tani prioriteti numër një yni është që të sigurohemi se po shpëtojmë jetë, që ekipet tona të kërkimit dhe të shpëtimit do të jenë në vendin e duhur, që njerëzit do të marrin ushqim, ujë, strehim që iu duhet në rast emergjence dhe që të reagojmë sa më shpejt që të jetë e mundur për të kthyer sërish ekonominë”, tha Obama.

Romney ka anuluar tubimet e së hënës dhe të martës në Ohajo si dhe një miting të së martës mbrëma në Nju Hampshajër, duke bërë të ditur gjithashtu se do të anulojë ngjarjet në të gjithë vendin “për shkak të ndjeshmërisë” së situates derisa miliona njerëz përballen me stuhinë.

Obama dhe Romney gjithashtu pezulluan –e-mailet për mbledhjen e fondeve në Nju Xhërsi, Karolinën Veriore, Pensilvani, Virxhinia, dhe në Distriktin e Kolumbias - të gjitha këto shtete të goditura nga erërat e forta të stuhisë si dhe shirat e dendura.

Fushata e Obamës mund të ketë përfituar nga lëvdata që mori të martën nga guvernatori republikan i Nju Xhersit, një nga shtetet që u godit më së keqi nga stuhia.

Guvernatori Chris Christie u shfaq të martën herët në programet televizive kombëtare për ta lavduar reagimin e Obamës ndaj stuhisë.
Christie tha se përgjigja federale ndaj stuhisë nën udhëheqjen e Obamës “ka qenë e shkëlqyeshme” dhe se për këtë “është shquar presidenti”.

Ai ka folur tri herë në telefon me Obamën të hënën dhe ka marrë gjithçka i është dashur nga qeveria federale- përfshirë edhe deklaratën e shpejtuar presidenciale për shpalljen e fakeqësisë së madhe, që i ka hapur rrugën fondeve federale për gjendjet emergjente.

Ndryshimet në orarin e fushatës janë vetëm pjesë e paparashikueshme që Sandy solli në zgjedhje.

Stuhia e detyroi anulimin e votimit të hershëm, që duhej të zhvillohej të hënën në Mariland dhe në Distriktin e Kolumbias. Dy ditë të votimit të parakohshëm janë anuluar edhe në Virxhinia. Për t’iu dhënë më shumë mundësi votuesve, zyrtarët e zgjedhjeve në Virxhinia kanë lehtësuar kërkesat për të prekurit nga stuhia.

Gjithashtu mund të ketë një reduktim të numrit të sondazheve të lëshuara nga shtetet verilindore në javën e fundit para votimit.

Ndërkohë, janë ngritur çështje serioze, se si teknologjia e votimit modern elektronik do të funksionojë pas katastrofës- përfshirë çështjet logjistike, po që se makineritë e votimit dështojnë në ditën e zgjedhjeve.

Në Nju Jork dhe Nju Xhërsi, shumëçka do të varet nga aftësia e punëtorëve të infrastructures, nëse mund të kthejnë energjinë elektrike, telefoninë dhe qasjen në internet.

Humbja e kësaj infrastukture mund të dëmtojë pjesëmarrjen në qendrat e votimit.

Çështjet legale ia bëjnë të vështirë qeverisë federale që të shtyjë zgjedhjet.
Kushtetuta Amerikane ia jep Kongresit autoritetin që të ndryshojë datën e zgjedhjeve presidenciale. Por, në këtë fazë të vonshme, me Kongresin në pushim, ligjvënësit, duket se nuk do ta kenë mundësinë që t’i shtyjnë zgjedhjet, edhe po që se e dëshirojnë një gjë të tillë.

Nën ligjin federal amerikan, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, që e zgjedhin presidentin amerikan, duhet të zgjedhen nga vota popullore në secilin shtet, të martën e parë pas të hënës së parë të nëntorit.

Por, ligji federal thotë gjithashtu se në qoftë se një shtet ka mbajtur zgjedhjet dhe “nuk ka arritur zgjedhë në ditën e parashikuar nga ligji, zgjedhësit mund të caktojnë një ditë të mëvonshme në mënyrën siç përcaktohet nga legjislatura e shtetit përkatës.”

Zyrtarët federalë thonë se i përket secilit shtet individual që të vendosë nëse zgjedhjet do të mund të shtyhen. Por, ndërsa secili shtet nuk ka fleksibilitet për t'u marrë me emergjenca, atëherë nuk i ushtron as kompetencat e tilla.

Disa shtete mund të vendosin, që t’i mbajnë qendrat e votimit hapur më gjatë se që është planifikuar ose të bëjnë ndryshime të tjera në qendrat e votimit.

Ekspertët ligjorë thonë se është e paqartë nëse një shtet ka autoritetin për të shtyrë zgjedhjet federale, në mënyrë që të merret me rastet emergjente.

Nëse zgjedhjet shtyhen në disa shtete, votuesit e atjeshëm ka të ngjarë që të dinë rezultatet nga pjesa tjetër e vendit përpara se t’i hedhin votat e tyre. Kjo do të çojë në një presion të madh dhe përqëndrim në shtetet, që mund të përcaktojnë rezultatin e votimit në Kolegjin Zgjedhor.

Nuk është miratuar ndonjë plan federal për rastet e paparashikuara, që do të merrej me ndikimin e katastrofës në zgjedhjet federale.

Por, FEMA, Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave - është duke u përgatitur edhe për mundësinë e pengimit të votimeve nga ana e stuhisë në javën e ardhshme.

Administratori i FEMA-s Craig Fugate iu tha gazetarëve se këshilli i FEMA-s po punon për të siguruar se agjencia do të ketë udhëzimet e duhura ligjore.(a.i.)
XS
SM
MD
LG