Ndërlidhjet

Clinton: Kroacia, faktor stabiliteti në rajon


Sekretarja Clinton dhe kryeministri kroat, Zoran Millanoviq.

Sekretarja Clinton dhe kryeministri kroat, Zoran Millanoviq.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka deklaruar sot në Zagreb se Kroacia është faktori më i rëndësishëm i stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.

Pas bisedimeve me presidentin kroat, Ivo Josipoviq, Clinton ka vlerësuar reformat, duke thënë se Kroacia ka bërë përparime të mëdha në luftën kundër korrupsionit dhe në sundimin e ligjit.

“Shpresoj se vitin e ardhshëm do të festojmë së bashku hyrjen e Kroacisë në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Clinton.

Josipoviq ka thënë se është në interesin më të mirë të Kroacisë që t’i bashkohet BE-së, për shkak të paqes, sigurisë dhe ekonomisë.

Clinton ka takuar edhe kryeministrin e Kroacisë, Zoran Millanoviq, dhe ministren e Jashtme, Vesna Pusiq.

Ajo ka qëndruar në Zagreb, pas vizitës që ka bërë në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë, ku është shoqëruar edhe nga shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Clinton të enjten qëndron në Tiranë.
XS
SM
MD
LG